Lajmet

Facebook për Android edhe më i shpejtë

Dec 14 2012
0 Shpërndarje
Facebook për Android edhe më i shpejtë

Lajme shumë të mira vijnë për përdoruesit e Android: tashmë, mund ta aksesojnë Facebook-un me dyfishin e shpejtësisë.

Rrjeti social lajmëroi të enjten versionin e ri, 2.0 i cili ka si përmirësim kryesor rritjen e shpejtësisë së aksesimit. “Facebook për Android është dy herë më i shpejtë kur shihni foto apo kur hapni Timeline-t”,- u shpreh kompania në postimin në blog.

“Kur jeni duke përdorur telefonin, asgjë nuk vlen më tepër se aplikacionet që punojnë shpejt. Ne punojmë vazhdimisht për të përmirësuar shpejtësinë e aplikacioneve tona dhe me këtë përditësim, kemi rindërtuar furnizuesin e lajmeve, njoftimet dhe Timeline-n.”

Aplikacioni i përditësuar i mundëson përdoruesve të shohin fotot pa u larguar nga furnizuesi i lajmeve, duke klikuar tek to për t’i shfaqur individualisht. Timeline ngarkohet gjithashtu më shpejt se në versionin e kaluar.

Facebook-u deklaroi para pak kohësh se do të kalonte nga aplikacionet e bazuara në HTML5 tek ato të dizajnuara për iOS dhe Android. Versioni i Facebook-ut për iOS u lançua para disa muajsh. Po ashtu, përditësimet në të dyja sistemet operative ofrohen tashmë në mënyrë të rregullt dhe periodikisht.

“Ky lançim i ri krijon një bazë të fortë për ecurinë e mëtejshme të Facebook-ut për Android”,- u shpreh Frank Qixing Du, një nga inxhinierët e skuadrës që merret me këtë aplikacion.

“Infrastruktura e duhur do të na mundësojë që të vazhdojmë të përmirësohemi në të ardhmen, duke shtuar edhe më tepër shpejtësinë si dhe karakteristikat e reja.”

Versioni 2.0 i Facebook-ut për Android është i disponueshëm prej ditës së enjte. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>