Analiza

Facebook përpara Google

Mar 18 2010
0 Shpërndarje
Facebook përpara Google

Kur Larry Page dhe Sergey Brin u takuan në universitetin e Stanford për të krijuar Google, askush nuk kishte menduar se do të mbretëronin internetin për 15 vjet. Motori i kërkimit ditë pas dite u bë faqja më e klikuar në internet dhe pushtoi të gjithë botën.

Dy djemtë e rinj që e themeluan, brenda pak vitesh u futën në listën e personave më të pasur të botës. Por 9 vjet më vonë pas krijimit të Google, një tjetër student i sapodiplomuar, këtë herë në Harvard, i dha botës një ide të re që e quajtur Facebook. Brenda pesë vitesh “ndërtesa” e Mark Zuckerberg u barazua dhe kaloi atë të Google.

Facebook ka qenë faqja më e vizituar në SHBA gjatë javës së kaluar, duke lënë në vend të dytë motorin e kërkimit Google. Kapërcimi në renditje konsiderohet historik për faktin se rrjeti social ka qëndruar në krye për një javë rresht, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.

Sipas HitWise, Facebook ka pasur 7.07% të përdoruesve në internet, ndërsa me 7.03%, Google renditej në vend të dytë. Vitin e kaluar vetëm 2% e përdoruesve amerikanë të internetit frekuentonin Facebook dhe tejkalimi sipas FT tregon se rrjeti nuk limitohet vetëm tek kërkimi, por tashmë është një rrjet social. Ky fakt u kuptua edhe nga Google i cili muajin e kaluar lëshoi rrjetin e vet social të quajtur Buzz.

Një tjetër e dhënë që konfirmon funksionin “shoqëror” të rrjetit është koha e kaluar nga amerikanët në adresa interneti që janë njëkohësisht rrjete sociale. Mesatarisht në faqet e Facebook, Twitter dhe rrjeteve të tjera sociale përdoruesit kanë qëndruar për rreth 6 orë e gjysmë në muaj, ndërsa në Google për rreth 2 orë e gjysmë.

Një tjetër favorizim për Facebook është rritja e përdoruesve të saj. Numri i vizitave vitin e kaluar u rrit për 185%, ndërkohë që trafiku i klikimeve në Google nuk ka pasur ndonjë rritje domethënëse.

Përdoruesit e Facebook-ut janë dyfishuar në një kohë të shkurtër, duke kaluar nga 200 milion që ishin në prillin e vitit të kaluar, në 400 milion gjatë këtij viti. Analistët parashohin se ky kalim nuk do të jetë i përkohshëm. Facebook duket se është i destinuar të mbajë udhëheqjen për një kohë më të gjatë.

Lajmet e fundit>