Lajmet

Facebook po planifikon të shndërrojë Messenger në një platformë të gjërë shërbimesh

Mar 21 2015
0 Shpërndarje
Facebook po planifikon të shndërrojë Messenger në një platformë të gjërë shërbimesh

messenger-developer

Javën që vjen, në konferencën e zhvilluesve F8, Facebook do të prezantojë disa mënyra për palët e treta të cilat do të ofrojnë eksperienca të reja për përdoruesit e Messenger. Facebook shpreson ta bëjë Messenger më të dobishëm pasi vuri re që disa aplikacione komunikimi si WeChat dhe Line rezultuan të suksesshme si platforma që shkojnë përtej mesazheve dhe komunikimit. Si fillim Facebook do të fokusohet në mënyrën se si palët e treta mund të krijojnë mundësi për rrjedhjen e informacionit dhe përmbajtjes përmes Messenger. Të varura nga suksesi i eksperimenteve të hershme, Facebook ka shumë mundësi të sjellë aplikime të reja në Messenger për ta bërë atë akoma më shumë funksional.

Ndërkohë që thuhet se platforma Messenger do të zërë pjesën më të madhe të konferencës F8, akoma nuk është e qartë forma konkrete e integrimeve të reja. Duke marrë shkak nga ajo që ofron WeChat dhe Line, parashikohet se platforma Messenger do të përfshijë një sërë mënyrash të reja të shpërndarjes së përmbajtjeve, komunikimit mes biznesve etj. Ka të ngjarë që kjo platformë fillimisht të bëhet e disponueshme për një numër të vogël përdoruesish,  dhe kryesisht do të fokusohet tek zhvilluesit dhe testuesit. Facebook refuzoi të komentonte mbi këtë çështje.

Duket se Facebook për kërkon të rikrijojë pjesën më të mirë të platformës së tij të hershme në ueb, sigurisht pa përsëritur gabimet e të shkuarës. Përdoruesit sot në Facebook bëjnë publik identitetin e tyre në sajë të përdorimit të lojrave në këtë rrjet social apo të protokollit Open Graph. Të dy këta komponentë janë të rëndësishëm pasi ndihmojnë zhvilluesit të arrijnë një audiencë më të gjerë. Por në të njëjtën kohë këto opsione mbushën plot spam-e Facebook-un gjithandej sa e detyruan kompaninë ti reduktonte ato. Duke mësuar nga kjo eksperiencë, ka të ngjarë që Facebook të tregohet i kujdesshëm duke mos lejuar që spam-et të pushtojnë dhe platformën e ardhshme Messenger.

Deri më tani Messenger ka qënë një eksperiencë plotësisht e lidhur me Facebook. Në Messenger ju mund të dërgoni tekste, mesazhe zanore, klipe, video, foto, ikona madje dhe të gjitha këto janë të mundura në sajë të sistemit të vet Facebook. Por zbulimi i disa aftësive të reja të zhvilluesve ka bërë që Messenger të shkojë më tej se kaq. Burimet raportojnë se këto karakteristika do të prezantohen gjatë konferencës F8. Për këto ndryshime që do të vijnë, Facebook është frymëzuar nga dy aplikacione me origjinë aziatike; WeChat dhe Line që funksionojnë më shumë si portale të gjera se sa si aplikacione shkëmbimi mesazhesh. Snapchat është një tjetër aplikacion i tillë që po cilësohet si një platform.

Platforma Line përbëhet nga një sërë opsionesh si Line Pay për të shkëmbyer para, Line Toss për të shpërndarë foto, Line Brush për të vizatuar, Line Card për të dërguar kartolina urimi, Line Camera për të krijuar kolazhe, B612 për selfie, Line WebToon për të lexuar në gjuhë të ndryshme etj. Në Line pëdoruesit gjithashtu mund të ndjekin profile zyrtare dhe të jenë në dijeni për lajmet më të fundit që publikohen nga mediat prestigjoze si CNN, BBC, WSJ. Ndërsa Snapchat ka ndjekur një strategji paksa ndryshe duke përdorur faqen e tij Discover në të cilën përdoruesit përditësohen me informacionet më të fundit, lajme, foto e video. Madje dhe WhatssApp i lejon pëdoruesit të shpërndajnë lidhje gjatë bisedave.

Facebook mund të kërkojë inspirim nga secili prej këtyre aplikacioneve. Së fundmi Facebook lançoi Stickered for Messenger, një aplikacion me anë të cilit mund ti bashkangjisni ikona dhe imazhe fotove për tja dërguar më pas miqve përmes Messenger. Facebook mund ti lejojë përdoruesit të ndjekin profilet zyrtare të personazheve të njohur, organizatave, markave etj ose ti ofrojë atyre komunikm direkt me bizneset në një mënyrë më efikase se një telefonatë. Duke marrë si shembull Wechat që është më tepër i fokusuar në tregti, platforma Messenger e Facebook mund të zgjerohet drejt kësaj fushe duke lejuar transaksione.

Me më shumë se 500 milion përdorues, Messenger është shëndrruar në një nga aplikacionet më popullore në botë. Ndërkohë që aplikacioni kryesor Facebook është në thelb një version i uebfaqes së rrjetit social i përshtatur për ekrane të vegjël, Messenger është krijuar posaçërisht për pajisjet mobile. Për shumë përdorues rreth e qark botës, Messenger është kthyer në arsyen primare të përdorimit të Facebook. Qëllimi i Facebook për Messenger është shëndrrimi i tij në një aplikacion më të dobishëm, ekspresiv dhe interesant që përmbush kërkesat e përdoruesve. Por më shumë për Messenger-in e ri do të mësojmë në konferencën F8 e cila do të mbahet së shpejti. Deri atëherë duhet të jemi të durueshëm. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>