Lajmet

Facebook po rishikon idenë e krijimit të butonit “më vjen keq”

Dec 8 2013
0 Shpërndarje
Facebook po rishikon idenë e krijimit të butonit “më vjen keq”

Menjëherë pas prezantimit të butonit “pëlqej” në Facebook, përdoruesit kanë kërkuar vazhdimisht aktivizimin e butonit “nuk e pëlqej” (dislike).

Facebook nuk ka vendosur ende për lançimin e këtij butoni, por inxhinieri Dan Murillo i kompanisë ka konsideruar idenë e lançimit të butonit “më vjen keq” (sympathize) i cili do të ndihmojë përdoruesit të tregojnë suportin e tyre ndaj miqve që janë duke kaluar një periudhë të vështirë.

Murillo ka diskutuar mbi mundësinë e shfaqjes së këtij butoni në eventin e ashtuquajtur “Dita e kërkimit të dhembshurisë” të organizuar nga Facebook në datën 5 dhjetor.

Ky buton potencial nuk do të shfaqet në krah të butonit “pëlqej”, por sa herë që përdoruesi shpreh një emocion negativ ose raporton përjetimin e një situate të vështirë do të zëvendësohet automatikisht butoni “pëlqej” me butonin “më vjen keq” në mënyrë që përdoruesit të tregojnë suportin e tyre.

Që të realizohet ndryshimi i butonit do të jetë e nevojshme që përdoruesi të përzgjedhë “sad” ose “depressed” nga lista e disponueshme e emocioneve.

Megjithatë, duhet të kemi parasysh se shumë prej ideve të prezantuara në hakatonet e organizuara nga Facebook mbeten thjesht ide dhe pavarësisht se Murillo vuri në dukje se kolegët e pëlqyen idenë e butonit “më vjen keq”, ai tha se nuk është ende momenti i duhur për lançimin e këtij produkti.

Por a do të lançohet ndonjëherë ky buton? Lidhur me këtë çështje, një përfaqësues i Facebook-ut është shprehur: “Hakatonet janë një traditë e rëndësishme e kompanisë. Ato shërbejnë si themeli i inovacioneve madhore dhe gjetjes së mënyrave se si t’ju shërbejmë sa më mirë njerëzve në mbarë botën.

Disa prej ideve tona më të mira kanë buruar nga këto hakatone ndërsa idetë e tjera që nuk vihen në zbatim n’a ndihmojnë që të mendojmë ndryshe rreth mënyrave të përmirësimit të shërbimit tonë.”

Kjo do të thotë se ka mundësi që ky buton të mos krijohet, por ai ka nxitur lindjen e një ideje të re: Krijimin e butonave në varësi të situatave të ndryshme.

Në vend të kufizimit vetëm me butonin e pëlqimit, do të ishte shumë interesante që përdoruesi të kishte mundësi të përzgjidhte nga një varietet butonash. (PCWorld Albanian)

facebook-user-2-970x0

Lajmet e fundit>