Lajmet

Facebook shpik një makinë virtuale PHP

Jul 29 2013
0 Shpërndarje
Facebook shpik një makinë virtuale PHP

Gjigandët e rrjetit social kanë bërë një tjetër hap drejt shndërrimit të gjuhës së programimit në ueb, PHP, në një gjuhë që funksionon më shpejt.

Kompania ka zhvilluar një makinë virtuale PHP, e cila, sipas kompanisë, mund ta ekzekutojë gjuhën rreth nëntë herë më shpejt krahasuar me funksionimin e saj në sisteme të mëdha.

“Qëllimi ynë është ta bëjmë PHP-në shumë, shumë të shpejtë,” u shpreh Joel Pobar, menaxher inxhinierik në Facebook. Kompania ka filluar përdorimin e saj, të cilën e ka quajtur HipHop Virtual Machine (HHVM), në serverët e saj që në fillim të këtij viti.

HHVM nuk është tentativa e parë e Facebook-ut për të shpejtuar funksionimin e PHP-së. PHP është gjuhë interpretuese, çka do të thotë se kodi burim ekzekutohet direkt nga procesori. Në përgjithësi, programet që shkruhen në gjuhë interpretuese si PHP tentojnë të mos punojnë aq shpejt sa gjuhë të tjera si C apo C++, të cila komplilohen paraprakisht në gjuhë makinë. Facebook i ka qëndruar besnik PHP-së për shkak se është gjuhë që njihet mjaft mirë nga pjesa më e madhe e programuesve ueb që punojnë për kompaninë.

Por, për të përballuar kërkesën jashtëzakonisht të lartë që krijohet nga përdoruesit, Facebook kishte krijuar fillimisht një kompilues, të quajtur HipHop, që përkthente kodin PHP në C++, në mënyrë që të bëhej kompilimi paraprakisht, për të shpejtuar performancën. Edhe pse versioni i parë i HipHop punoi për shumë vite, kompanisë i duhej një mënyrë tjetër për të rritur shpejtësinë për mbi një miliard përdoruesit e saj.

HHVM ishte hapi i rradhës. Pas tre vitesh nën zhvillim, HHVM punon në të njëjtat parime si Java Virtual Machine (JVM). HHVM ka një kompilues just-in-time (JIT) i cili konverton kodin burim të lexueshëm nga njeriu në kod makine (byte code) kur nevojitet. Metoda e JIT i mundëson makinës virtuale të “marrë vendime më të zgjuara në runtime”.

Për shembull, në qoftë se bëhet një kërkesë në bazën e të dhënave MySQL për të lexuar një rresht me të dhëna, HHVM arrin menjëherë të kuptojë se për çfarë lloj të dhënash bëhet fjalë, për shembull nëse është një numër i plotë (integer) apo nëse janë karaktere (string). Më pas ai gjeneron ose thërret kodin që do të ishte më i përshtatshëm për të trajtuar atë lloj të dhënash. Me pak fjalë, qëllimi i HHVM është të arsyetojë në mënyrë të drejtë. Facebook e ka postuar kodin e HHVM në GitHub, me shpresën se do të përdoret edhe nga njerëz të tjerë që programojnë në PHP. (PCWorld Albanian)

facebook php

Lajmet e fundit>