Lajmet

Facebook teston opsionin që mundëson shfaqjen e postimeve të publikuara para 1 viti

Dec 1 2013
0 Shpërndarje
Facebook teston opsionin që mundëson shfaqjen e postimeve të publikuara para 1 viti

FacebookTimeTravel-190x285Facebook ka vendosur të bëhet disi nostalgjik me testimin e një opsioni të ri në brendësi të faqes kryesore (News Feed) që do të lejojë përdoruesit të shohin postime të vjetra nga profili i tyre.

Një përfaqësues i kompanisë është shprehur: “Jemi duke testuar një mënyrë të re që ndihmon përdoruesit të kujtojnë momentet e tyre të preferuara duke lehtësuar shfaqjen e postimeve të mëparshme në faqen kryesore të publikimit të lajmeve.

Në qoftë se përdoruesi klikon tek lajmërimi atëherë do të shohë një listë të postimeve kryesore që janë publikuar para 1 viti. Momentalisht opsioni është thjesht një test.”

Opsioni funksionon në mënyrë të ngjashme me aplikacionet Timehop dhe Memolane të cilat lidhen me llogaritë e ndryshme të përdoruesve në mediat sociale dhe shfaqin përditësimet e statuseve, cicërimave ose fotove që janë publikuar para 1 viti.

Është e vështirë të imagjinosh që këto shërbime mund të përdoren në masë pasi jo kushdo dëshiron të ketë një aplikacion që i dedikohet të shkuarës.

Megjithatë, duke marrë parasysh se Facebook ka për qëllim të jetë një shërbim i identitetit dixhital dhe regjistron vazhdimisht jetën on line të përdoruesve atëherë ka kuptim të përfshijë edhe funksionalitetin e gjurmimit të së shkuarës.

Është shumë më e lehtë të përdorësh këtë opsion sesa të fillosh të kërkosh në morinë e postimeve të publikuara në kohështrirjen tuaj.

Facebook ka njoftuar se opsioni është aktivizuar vetëm për një pjesë të përdoruesve, por performanca pozitive tregon se është mirëpritur.

Një prej arsyeve të këtij rezultati është edhe shfaqja pikërisht në festën e Falënderimeve, koha perfekte për t’u ndjerë nostalgjik dhe për të reflektuar. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>