Lajmet

Facebook-u njeh zyrtarisht Kosovën si shtet

Nov 20 2013
0 Shpërndarje
Facebook-u njeh zyrtarisht Kosovën si shtet

Diplomacia Dixhitale duket se po korr një sukses gjatë muajt nëntor. Kosova është njohur zyrtarisht si shtet edhe nga rrjeti social më i madh në botë, Facebook.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është njoftuar nga drejtuesit e lartë të Facebook-ut, me seli në Dublin të Irlandës, për përfshirjen e Kosovës në këtë rrjet global social. Sipas reagimit zyrtar nga Qeveria e Kosovës, përfshirja e shtetit më të ri të Europës në rrjetin më të madh social në botë është bërë për t’u ofruar kosovarëve dhe bizneseve të Kosovës të njëjtat mundësi sikur edhe vendeve të tjera të botës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në muajt e shkuar ka qenë në kontakt me korporata të ndryshme globale të internetit, ka theksuar se” “Qeveria e Kosovës ka investuar në diplomacinë dixhitale, me synim për t’u mundësuar kosovarëve të gëzojnë të njëjtat shërbime dhe produkte si të gjithë qytetarët me qasje në shërbime dixhitale”.

Ndërkohë, kongresmeni amerikan, Eliot Engel gjithashtu ka luajtur një rol aktiv në lobimin për njohjen më të madhe të Kosovës në internet, si pjesë e Strategjisë për Diplomaci Dixhitale të Republikës së Kosovës.

“Jam impresionuar nga rritja e depërtimit të internetit në Kosovë në vitet e fundit dhe jam i lumtur që kam ndihmuar kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës në tejkalimin e hendekut dixhital të Kosovës dhe pjesës tjetër të botës së zhvilluar,” tha Kongresmeni Engel, anëtar i lartë i Komitetit të Kongresit Amerikan për Punë të Jashtme, në një komunikatë për Qeverinë e Kosovës.

Sipas Qeverisë së Kosovës, njohja nga Facebook-u nënkupton se bizneset kosovare tani mund të prodhojnë fushata vetjake të marketingut, të cilat do të iu mundësojnë atyre të avancojnë në tregun e brendshëm.

Republika e Kosovës ka shtuar përpjekjet e saj në muajt e fundit për të siguruar përfshirjen e kosovarëve në rrjetet dhe shërbimet e ndryshme të internetit në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Diplomaci Dixhitale, e cila synon integrimin e Kosovës në rrjetet e komunikimit global. Faqja e internetit www.digitalkosovo.org është lansuar për të mbështetur këtë proces. (PCWolrd Albanian)

Facebook_Kosova_219268107

Lajmet e fundit>