Lajmet

FBI jep këshilla mbi mashtrimet gjatë njohjeve përmes internetit

Feb 28 2013
0 Shpërndarje
FBI jep këshilla mbi mashtrimet gjatë njohjeve përmes internetit

Scam Nuk ndodh çdo ditë që një Byro Federale e Hetimit siç është FBI në SHBA të japë këshilla mbi mashtrimet e njohjeve përmes internetit.

Ata kanë publikuar kohët e fundit një dokument me titullin “Po kërkoni dashurinë? Kini kujdes nga njohjet në internet.” (“Looking for Love? Beware of Online Dating Scams”)

FBI thekson se në botë ka mjaft kriminelë apo maniakë të cilët përdorin faqet e mediave sociale apo dhomat e chat-it për të kërkuar viktimën e tyre të rradhës. Zakonisht prezantohen duke thënë se janë shtetas të vendit tuaj që punojnë për momentin jashtë vendit.

Targetet e tyre më të shpeshta janë femrat mbi 40 vjeç, përgjithësisht ato të divorcuara apo vejushat. Megjithatë, FBI ve në pah se të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara.

Ja se si funksionon e gjithë skema:

Dikush ju kontakton online dhe shpreh dukshëm interesin për ju. Ai ose ajo mund të ketë një profil të cilin ju mund ta shihni apo mund t’ju dërgojë thjesht një foto me e-mail. Që këtu fillon biseda, e cila mund të zgjasë në kohë, për javë të tëra, madje edhe muaj. Në këtë mënyrë krijohet një lidhje. Ndoshta mund të merrni edhe lule apo dhurata të tjera. Në shumicën e rasteve – diçka që po ndodh shpesh kohët e fundit – personi në fjalë mund t’ju kërkojë edhe para. Një pjesë e njerëzve i dërgojnë paratë, por kërkesat nuk mbarojnë këtu.

Një skemë tjetër mjaft e përhapur është edhe kjo:

FBIJu njiheni me dikë në një platformë të caktuar bisedash online dhe personi në fjalë ju sugjeron të flisni në një faqe tjetër, ku mund të bisedoni rehat duke u “afruar” me tepër me njëri-tjetrin. Më pas, të gjitha bisedat që keni zhvilluar, së bashku me foto që mund të keni shkëmbyer, postohen online dhe ju etiketoheni si ‘tradhëtarë’. Për t’i hequr këto të dhëna nga interneti, viktimave u kërkohen para.

Duke parë numrin në rritje të mashtrimeve përmes njohjeve në internet, FBI jep disa këshilla:

– Kini kujdes me të dhënat personale që jepni në rrjete sociale si Facebook, Linked-In, Twitter etj.

– Mos jepni asnjëherë të dhëna financiare ose personale dhe mos dërgoni asnjëherë foto tuajat tek persona që nuk i njihni.

– Tregohuni skeptikë edhe në qoftë se po flisni me dikë që nuk e njihni. Nëse ky i fundit ju shpreh menjëherë ndjenja dashurie apo afeksioni, largohuni.

– Mos u mashtroni nga persona që ju thonë se janë vendas të shtetit ku jetoni por për momentin ndodhen jashtë për punë dhe nuk mund t’ju takojnë; ose, për shkak të një eventi tragjik nuk mund të lenë një takim me ju.

– Edhe në rastet kur mund të jeni duke folur me një person të panjohur në internet dhe ky i fundit ju dërgon një foto, bëni një kërkim me foto në Google (search by image) për të parë nëse është foto e marrë diku në internet. (PCWorld Albanian)

Tags >

FBI
Lajmet e fundit>