Blog

Fëmijët po humbin aftësinë për të biseduar për shkak të teknologjisë

Nov 21 2017
0 Shpërndarje
Fëmijët po humbin aftësinë për të biseduar për shkak të teknologjisë

Fëmijët janë duke humbur aftësinë për të bërë një bisedë, për shkak të përdorimit të teknologjisë, thotë autori i serisë së librave për fëmijë “Wimpy Kid”.
Jeff Kinney, i cili ka shkruar serinë e librave për fëmijë Diary of a Wimpy Kid, është i shqetësuar pasi fëmijët nuk arrijnë të “socializohen”

Autori amerikan ka shitur më shumë se 150 milionë kopje të printuara të serisë së Wimpy Kid, dhe librat e tij janë përshtatur për filma.
Kinney thotë se koha para ekranit është një problem i madh për shkrimtarët që duan të shesin librat në botën reale.
Ai e përshkroi marrëdhënien e fëmijëve me teknologjinë si një “eksperiment i madh i kohërave tona”.
“Nuk e di vërtet nëse dikush e ka përgjigjen e duhur, por ajo çka është e pamohueshme është se mënyra se si fëmijët tanë komunikojnë me njëri-tjetrin ka ndryshuar rrënjësisht dhe ndoshta përgjithmonë”, u shpreh ai për Press Association.

“Ajo çfarë duam nga fëmijët tanë është që të socializohen plotësisht dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo është një humbje e madhe”.
“Nëse jam në makinë me fëmijët e mi, tani çdo njeri është në telefon… dhe është e çuditshme të drejtosh makinën kur çdokush është në telefon”.
“Mendoj se kjo po humb dhe mendoj se të gjithë ne jemi fajtorë si prindër. Këtë e mendoj gjithmonë”.

Kinney, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë në botë, shtoi se “koha gjatë së cilës fëmijët janë duke kaluar para ekranit të smartphone është problemi me të cilin po përballet çdo prind në ditët e sotme”.
“Gjatë kohës që kam shkruar libra për fëmijë, marrëdhënia e fëmijëve me pajisjet elektronike ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, – tha ai.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shkruash për fëmijërinë pa përmendur telefonat dhe mesazhet e shpejta”.

Fëmijët dhe teknologjia

Një studim francez ka vëzhguar dhe analizuar sjelljen e fëmijëve në grupmosha të ndryshme të cilët përdorin tablet dhe pajisje të tjera teknologjike. Përfundimi? Nuk këshillohet përdorimi i tyre vetëm dhe për një kohë të gjatë.

Gjatë festave të ndryshme në shtëpitë tona vijnë shumë dhurata teknologjike. Nëse njëherë e një kohë, teknologjitë u rezervoheshin vetëm të rriturve, sot gjithnjë e më shumë prindër dhe miq u dhurojnë fëmijëve tanë, edhe shumë të vegjël, pajisje të vogla teknologjike si tablet apo robotë ndërveprues.

Por a ka kuptim t’i dhurosh një tablet një fëmije 3 vjeç? Siç thuhet në një studim tjetër, përdorimi i pajisjeve teknologjike nga fëmijët në moshë parashkollore, mund të jetë një mundësi ose problem, në varësi se si përdoren.

Le ta nisim nga një fakt objektiv: fëmijët, edhe ata shumë të vegjël në moshë, nuk kanë asnjë problem të përdorin aplikacione smartphone apo tablet. Një studim amerikan i kohëve të fundit me fëmijë nga 0 – 8 vjeç (Zero to eight: Children’s media use in America), thotë se që 9 – 12 muajsh, fëmijët janë në gjendje të mësojnë dhe përdorin aplikacione pa probleme.

Në praktikë, lehtësia e përdorimit të pajisjeve “touch” ka hequr barrierën gjuhësore që prej kohësh ka qenë pengesa kryesore për të mësuar teknologjinë. Sot, që të përdorësh teknologjitë touch nuk është e nevojshme të dish të lexosh ose të shkruash, mjafton të kontrollosh gishtat. Jo vetëm: shumë prindër kanë zbuluar se fëmijëve të tyre u pëlqen përdorimi i aplikacioneve, në disa raste shumë; guxoni t’ia hiqni tablet-in apo celularin një fëmije dhe do të përballeni me të qara për një kohë të gjatë dhe diskutime.

Aspektet pozitive të përdorimit të teknologjisë tek fëmijët

Përdorimi i teknologjisë nga fëmijët në moshë të vogël i ndihmon ata të zhvillojnë aftësi njohëse, gjë që i bën brilante mendjet e atyre të cilët, në vitet e para të jetës, ndërveprojnë në mënyrë të vazhdueshme me teknologjinë.

Multitasking i ndihmon fëmijët të përthithin më tepër informacion që përdoret nga truri, gjë që i bën subjektet më produktivë dhe të shpejtë në aftësinë e përpunimit të informacioneve që marrin, por duke reduktuar aftësinë për t’u përqendruar.

Sot ekzistojnë tablet për fëmijë, që përmbajnë aplikacione për qëllime edukative në mosha të ndryshme jete. Me pajisjet teknologjike, të vegjlit mund të mësojnë gjuhë të huaja, të bëjnë ushtrime logjike dhe t’i japin krahë fantazisë dhe kreativitetit.

Aspektet negative të përdorimit të teknologjisë tek fëmijët

Sociologët dhe psikologët e interesuar në këtë fenomen social, pavarësisht se evidentojnë rreziqet e përhapjes së teknologjisë tek më të vegjlit, saktësojnë se avantazhet e përdorimit të pajisjeve teknologjike për fëmijë në mënyrë të kujdesshme dhe nën mbikëqyrje, janë më të mëdha se rreziqet.

Tre aspektet negative janë:
-Izolimi psikologjik i fëmijëve, që krijojnë një botë paralele ku jetojnë, shpesh e banuar nga heronj dhe personazhe virtuale lojërash dhe aplikacionesh që “frekuentojnë” bashkëmoshatarët e tyre.
-Lodhje e shikimit të fëmijëve që shkaktohet nga përdorimi për një kohë të gjatë i pajisjeve teknologjike.
-Kosto që lidhen me blerjen e disa aplikacioneve për të vazhduar lojërat.

Lajmet e fundit>