Lajmet

Fillon eventi Startup Weekend Tirana

Jun 8 2013
0 Shpërndarje
Fillon eventi Startup Weekend Tirana

startup weekend tiranaEventi më i rëndësishëm që promovon sipërmarrjen dhe nxjerr në pah idetë e reja për krijimin e kompanive startup brenda 54 orëve është hapur zyrtarisht ditën e premte në Tiranë në ambientet e Qendrës Protik.

Në vitin e dytë radhazi të organizimit të eventit, dhjetëra të pasionuar dhe të interesuar për formimin e bizneseve fitimprurëse janë mbledhur në këtë ngjarje, ku patën edhe mundësinë e prezantimit të ideve të tyre për biznes.

Studentët, programuesit, dizajnerët, menaxherët, marketerët dhe entuziastët e teknologjisë prezantuan gjatë ditës së premte dhjetëra ide brenda një kohe të shkurtër prej 60 sekondash secila, një kohë kjo e cila duhej të programohej saktë në mënyrë që të arrihej të entuziazmoheshin pjesëmarrësit, të cilët do të votonin më pas idetë më interesante.satratup tirana3

Pas përfundimit të fazës së prezantimit, të gjithë idetë qëndronin të afishuara në ambientet e Protik, ndërkohë që ideatorët kishin mundësi të krijonin kontakte me pjesëmarrësit për t’i bindur ata të votonin projektin e tyre.

Pas përzgjedhjes së rreth 14 ideve më të votuara erdhi momenti i krijimit të grupeve të punës. Ideatorët folën shkurtimisht mbi natyrën e pjesëmarrësve që u nevojitej në ekipin e tyre të punës, duke zgjedhur herë programues, herë dizajnera apo shpeshherë edhe marketerë. Dita e premte përfundoi me krijimin paraprak të grupeve të punës.

satratup tirana2

Gjatë ditës së shtunë, ekipet e krijuara do të synojnë të forcojnë frymën e grupit dhe, duke marrë ndihmë nga mentorët e aktivitetit, do të përpiqen të plotësojnë, të zgjerojnë dhe të zbatojnë në praktikë idetë e tyre për të krijuar prototipe të cilat duhet të hidhen në treg me synim dhe vizion në arritjen e krijimit të ndërmarrjeve të reja në fushën e teknologjisë dhe informacionit.

Gjatë ditës së diel të gjitha idetë e shndërruara tashmë në projekte do të paraqiten para një jurie të përbërë nga drejtues e përfaqësues të sponsorëve dhe organizatorëve ku do të zgjidhet edhe startup-i më i mirë i eventit.

ICTS Media dhe PCWorld Albanian do të jenë sponsorë dhe mbështetës mediatikë të StartUp Weekend Tirana, duke raportuar live hap pas hapi, në mënyrë periodike gjithë ecurinë e eventit përmes faqeve zyrtare në Facebook, Twitter dhe LinkedIn. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>