Lajmet

Firefox Add-Ons: mbi 3 miliardë shkarkime deri tani

Jul 28 2012
0 Shpërndarje
Firefox Add-Ons: mbi 3 miliardë shkarkime deri tani

Dihet tashmë se add-ons (shtojcat) që instalohen në Firefox janë një pjesë e rëndësishme e shfletuesit dhe rrisin popullaritetin e tij. Këtë javë Mozilla ka zbuluar disa të dhëna që vërtetojnë këtë fakt.

Gjatë kësaj jave u arrit shkarkimi i tre miliardtë i një shtojce të Firefox. Këtë postim ka bërë Mozilla në blogun e saj të enjten. Kjo shifër është afërsisht sa gjysma e popullsisë së botës dhe kalon numrin e njerëzve që përdorin internetin (2.27 miliardë).

“Ky moment historik për ne u bë i mundur falë qindra miliona përdoruesve të Firefox dhe mbi 25,000 zhvilluesve të shtojcave në të gjithë botën”, u shpreh Erica Jostedt, në emër të kompanisë.

Galeria e Firefox Add-ons hyri në Ueb për herë të parë në vitin 2004, për t’iu mundësuar përdoruesve të rrisnin funksionalitetin e shfletuesit dhe për t’i shtuar atij karakteristika në bazë të preferencave.

Disa fakte interesante:

  • Sot, mbi 85% e përdoruesve të programit kanë të instaluar të paktën një shtojcë.
  • Shumica prej tyre ka të instaluara mesatarisht 5 shtojca.
  • Më të popullarizuarat janë AdBlock Plus, Firebug, NoScript, Personas Plus dhe Video DownloadHelper.
  • Fushat e shtojcave më të shkarkuara janë privatësia dhe siguria, mjetet e kërkimit, etiketimet dhe temat.
  • Firefox është shfletuesi i parë që prezantoi shtojcat për kompjuterët dhe celularët. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>