Lajmet

Forumi i 4-të i Telekomunikacionit Shqiptar hap dyert më 20 nëntor

Nov 13 2012
0 Shpërndarje
Forumi i 4-të i Telekomunikacionit Shqiptar hap dyert më 20 nëntor

Në vijim të eventeve të shumta që do të mbahen këtë vit me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë edhe forumi i katërt i Telekomunikacionit InfoCom Albanian. Ai do të zhvillohet ditën e martë, më 20 nëntor në Hotelin Sheraton në Tiranë.

Kompania mediatike Smart Press S.A, do të jetë organizatorja zyrtare e eventit. Forumi do të ketë gjithashtu edhe kujdesin e veçantë të Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit.

Forumi pritet të jetë edhe njëherë eventi më tërheqës në industrinë e Telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, partnerë mediatik i së cilës është edhe shtëpia mediatike e IT-së, ICTS Media, botuese e PCWorld, CIO, GameWorld etj., në gjuhën shqipe.

Në dallim prej organizimeve të tjera, konferenca e këtij viti i dedikohet e gjitha krijimit. Në të do të flitet mbi ndërtimin e infrastrukturës që do të sjellë revolucionin dixhital në Shqipëri, duke rritur në këtë mënyrë produktivitetin dhe zhvillimin e sektorëve themelorë si e-government, televizionet dixhitale si dhe komunikimit përmes telefonit, internetit apo cloud-it. Qëllimi kryesor i forumit do të jetë identifikimi i praktikave optimale të cilat do të parashikojnë të ardhmen e TIK në Shqipëri. Konferenca do të përbëhet nga tre sesione.

Broadband dhe Ekonomia

Në sesionin e parë do të diskutohet mbi lidhjen e broadband-it me ekonominë, në të cilën, ndër të tjerë, do të prezantojnë edhe përfaqësues të programeve nga Bashkimi Evropian, USAID, kompani si Ericsson, Top Channel etj. Duke qenë se ai mund të ndihmojë në rritjen e PBB-së, do flitet mbi kostot e zgjerimit fizik të infrastrukturës e do zhvillohen diskutime për t’u dhënë përgjigjje pyetjeve se çfarë modeli broadband-i do të mbizotërojë, cili do të jetë roli i kuadrit ligjor të investimeve e deri tek parashikimi se sa kohë do të duhet për të kaluar në epokën 4G.

Shqipëria elektronike dhe mobile

Sesioni i dytë do t’i dedikohet “Shqipërisë Elektronike” (e-Albania), trendit që po përhapet gjithmonë e më shumë në ditët e sotme, në të cilën do të prezantojnë kompani si Microsoft, Cisco, Intel, Eagle Mobile etj.

Do të diskutohet mbi mundësitë që ofron broadband-i mbi “Aplikacionet elektronike” (e-Apps) e veçanërisht “Aplikacionet mobile” (m-Apps), për fushën m-agriculture, m-banking, m-health, m-education, etj.), efektet pozitive në ekonomi, rritjen e informacionit të ofruar dhe uljes së kostove për kryerjen e shërbimeve.

Sigurisht, në diskutim nuk mund të mungojë edhe teknologjia e cloud computing (kompjuterit në rerë), konsideruar si gjenerata e ardhshme e ofrimit të shërbimeve.

Qëllimi dhe misioni i Shqipërisë

Së fundmi, në sesionin e tretë, do të paraqiten pikëpamje, qëllime dhe misione të krerëve vendimmarrës dhe drejtues të sektorit të Teknologjisë së Informacionit, në të cilën do të ofrohen mundësi bashkëpunimi mes palëve të interesuara në tregun e TIK në Shqipëri lidhur me pikëpamjet e tyre mbi çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet vendi në këtë sektor, në të cilën do të prezantojnë përfaqësues të organizatave, agjencive dhe kompanive të ndryshme, siç janë “Digital Albania”, përfaqësues i KKRT-së, AKEP-it, AMC, Vodafone, Plus, Tring etj. Nëse përpjekjet e tyre rezultojnë të suksesshme, rezultatet e bashkëpunimit mund të çojnë në përparimin e këtij sektori në Shqipëri duke sjellë kështu zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë. Konferenca do të mbahet më 20 nëntor në Sheraton Hotel në Tiranë. Pjesëmarrja bëhet duke u regjistruar paraprakisht në këtë link. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>