Lajmet

Forumi i katërt i Infocom Albanian: Shpalosen sfidat e IT-së

Nov 21 2012
0 Shpërndarje
Forumi i katërt i Infocom Albanian: Shpalosen sfidat e IT-së

Ditën e martë u mbajt në Hotel Sheraton Tirana forumi i katërt i Infocom Albanian, një event tjetër i rëndësishëm mbi teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Në konferencën e këtij viti u fol gjatë mbi krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e sektorit ICTShqipëri, mbi nevojat e tregut shqiptar dhe arritjet e deritanishme në këtë fushë.

Të pranishëm ishin ekzekutivët më lartë të kompanive më të njohura shqiptare dhe të huaja, ministri i Inovacionot, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, përfaqësuesit dhe ambasadorët e USAID, Delegation of the European Uninion, AKSHII, ANA, AITA, ProTIK etj. Forumi ishte i përbërë nga tre sesione. Në sesionin e parë u fol mbi broadbandin, gjendjen aktuale dhe përhapjen e tij në Shqipëri. Në sesionin e dytë u diskutua mbi Shqipërinë elektronike dhe rrjedhjen e të dhënave. Në sektorin e tretë dhe të fundit, drejtuesit ekzekutivë të kompanive dhe agjencive më të rëndësishme në Shqipëri folën mbi arritjet e kompanive të tyre dhe sfidat për të ardhmen.

Konferenca u hap me fjalën e ministrit Pollo, i cili tha se në Shqipëri po i jepet rëndësi e vëmendje të madhe aktiviteteve mbi zhvillimin e broadbandit. Ai vuri theksin në bashkëpunimin për të zhvillimin e hallkave të ekosistemit të IT-së në Shqipëri si dhe përmirësimit të sistemit aktual. Pollo u shpreh se vetëm me ndjekjen e politikave të duhura për liberalizimin e këtij tregu do të sigurohet një konkurrencë e plotë dhe do të rritet numri dhe cilësia e ofrimit të shërbimeve në vend.

Ministri solli edhe disa statistika të reja të këtij viti lidhur me shpërndarjen e internetit dhe telefonisë mobile në Shqipëri. Penetrimi i kësaj të fundit ka arritur tashmë 190%, ndërsa 3G mbulon rreth 85% të territorit. Tarifat e internetit janë ulur, ndërkohë që shpejtësia më e përdorur është 2 deri 4 Mbps, progres i rëndësishëm nga disa vite më parë kur shpejtësia mesatare ishte 256 Kbps. Numri i lidhjeve broadband është dyfishuar nga viti 2010. Të gjitha këto shifra tregojnë dinamizmin e tregut dhe adaptimin e gjerë nga njerëzit.

Megjithatë, ky sektor ka nevojë për mbështetje jo vetëm nga qeveria por edhe nga vetë industria. Ministri tërhoqi vëmendjen se të gjithë duhet të kontribuojmë për zhvillimin dhe rritjen e përmbajtjes shqip dhe veçanërisht të aplikacioneve mobile, duke ndërtuar aplikacione specifike për tregun shqiptar. Ministri e mbylli fjalën e tij me sugjerimin se zhvillimi më i madh i kësaj fushe në Shqipëri do të vijë nga kompanitë private.

Drejtuesi i misioneve në USAID, Jim Barnhart tha se ky organizëm ka ndihmuar vazhdimisht Shqipërinë në vite. Ai u shpreh se broadbandi së bashku me arsimimin në këtë fushë janë pikat më të rëndësishme të ICT-së. Universitetet duhet t’iu mundësojnë studentëve përgatitjen e duhur në mënyrë që të jenë të aftë të punojnë në sektorin privat pas përfundimit të studimeve. Barnhart solli një pasqyrë të shkurtër të mbështetjes që USAID ka dhënë në fushën e ICT-së në Shqipëri, veçanërisht me përmirësimin e nivelit të njohurive në forcën punëtore shqiptare si dhe foli mbi disa projekte të ardhshme që do të implementohen së shpejti, me theksin tek pajisja e ministrive me mjetet më të fundit të ICT-së.

Në tryezën e rrumbullakët që vijoi në sesionin e parë mbi broadbandin morën pjesë menaxherë të përgjithshëm të kompanive si Ericsson, Huawei, NSN, Intracom Telecom dhe AbissNet. Në të u diskutua mbi politikat që duhen ndërmarrë për të stimuluar rritjen e broadbandit kombëtar. Përfaqësuesit e kompanive të mësipërme shkëmbyen idetë e tyre mbi mënyrat se si mund të investojnë kompanitë private në këtë aspekt. Operatorët mobile mund të investojnë më tepër në aplikacione, pasi infrastruktura 3G, tashmë e pranishme në Shqipëri, e ofron këtë mundësi. Zhvillimi i shërbimeve broadband ishte një strategji tjetër e sugjeruar për rritjen e konkurrencës. Operatorët e shërbimeve të broadband mund të investojnë gjithashtu në zonat rurale, ndërsa qeveria duhet të mbrojë dhe të përkrahë kompanitë e suksesshme që kanë ecur deri tani në treg. Një sugjerim tjetër ishte të pasurit e infrastrukturës gati për çdo lloj shërbimi broadband në të ardhmen. Theksi kryesor u vu edhe njëherë mbi aplikacionet mobile dhe cloud-in.

Në sesionin e dytë u fol mbi e-Albania. Endri Hasa, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHII) tha se Shqipëria elektronike ofron tashmë shërbime më të mira për qeverinë dhe qytetarët. Shkëmbimi i të dhënave përmes service bus-it të ri realizohet më shpejt dhe në mënyrë më të sigurte mes agjencive të shtetit. Portali e-Albania vazhdon të zhvillohet periodikisht, ndërkohë që qëllimi kryesor është përmirësimi i administratës lokale përmes gateway-t të ri. Shërbimet cloud përdoren prej 4 vjetësh tashmë në qeveri dhe ekzistojnë 52 portale të e-Government. Sfida, vuri në dukje Hasa, është të ndryshohet koncepti i shërbimeve elektronike, të garantohen standarde dhe principe të reja në treg. Të gjithë pjesëmarrësit e tregut të ICT-së në Shqipëri duhet të angazhohet, duke filluar nga zhvillimi i infrastrukturës e deri tek aplikacionet.

Drejtori i Academic Network of Albania (ANA), Arjan Xhelaj shpjegoi qëllimin dhe krijimin e këtij rrjeti. I sponsorizuar nga qeveria italiane, përmes ANA-s synohet të rritet interaktiviteti i procesit të të mësuarit në universitete, si dhe të koordinohet kërkimi akademik.

Edlira Kasaj, shefe ekzekutive e ProTIK, shpalosi qëllimet e kësaj qendre e cila synon të promovojë inovacionin, të rrisë kërkesën për ICT si dhe të stimulojë bashkëpunimin mes partnerëve të kësaj fushe. Ajo tha se Shqipëria mbetet ende prapa në aspektin e inovacionit, duke u renditur e 128-ta për vitin 2012. Për këtë arsye, ProTIK është një qendër që fokusohet tek arsimimi dhe trajnimi i studenteve të kësaj fushe, nxitja e ideve të reja në ICT si dhe krijimi i platformave për ndarjen e njohurive. Kasaj, po ashtu foli mbi rëndësinë e aplikacioneve mobile për tregun shqiptar, duke theksuar se promovimi i tyre është një hap kyç mbi shfrytëzimin e dobishëm të teknologjive më të fundit.

Dritan Mezini, kryetar bordi i AITA (Albanian Information Technology Association) foli mbi rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve publike përmes e-Governement. Ai solli për publikun disa prej projekteve tashmë të përfunduara si dhe ato që janë ende në zhvillim. Mezini tha se qëllimi kryesor është rritja e të ardhurave nga sektori i IT-së në PBB-në shqiptare. Nga ana tjetër, AITA është duke punuar me universitetet për të përmirësuar kurrikulat e për t’i përafruar ato me kërkesat e tregut.

Artur Nurja, CTO i M-Pay prezantoi më gjerë kompaninë e cila fokusohet tek aplikacionet mobile, tema më e prekur e kësaj konference. Duke lidhur kompanitë më të rëndësishme në Shqipëri, ka filluar epoka e re për industrinë e bankave dhe institucioneve financiare. M-Pay është fleksibël në përmbushjen e standardeve të çdo kompanie dhe ofron një kanal të ri në pagesat mobile, pa zëvendësuar ato elektronike. Synimi aktual është që ky shërbim të adaptohet nga qytetarët, për të lehtësuar mënyrën e transaksionit të pagesave.

Në tryezën e rrumbullakët të këtij sesioni morën pjesë drejtorë dhe menaxherë të përgjithshëm nga Microsoft, CCS, Cisco, Intracom Telecom, Eagle Mobile, Vodafone Albania, Adtran, Intel dhe M-Stat. Secili prej tyre përmendi shërbimet dhe produktet që ofron kompania e tyre në temat e përmendura gjatë konferencës. Microsoft ofron aplikacionet dhe po përqendrohet tashmë edhe në mbështetjen e universiteteve dhe arsimit parauniversitar me platformat e nevojshme. Cisco ofron shërbimet cloud si dhe mobilitetin, Intel po fokusohet edhe më tepër tek softuerët dhe strategjitë për cloud.

Duke qenë se në vitin 2018 parashikohet që popullsia e botës do të arrijë 8 miliardë dhe 5 miliardë përdorues do të kenë akses në internet, prej së cilëve 2.5 miliardë përmes mobile broadband, është e rëndësishme që të investohet në zhvillimin e këtij rrjeti, në rritjen e cilësisë së tij si dhe në paraqitjen e avantazheve tek vetë qytetarët, në mënyrë që ata ta njohin teknologjinë e fundit dhe ta adaptojnë atë.

Në sesionin e tretë, Pirro Xhixho, kryetar i Agjencisë së Komunikimit Elektronik dhe Postal (AKEP) vuri në dukje se penetrimi i broadbandit në Shqipëri është rritur. Instalimi i fibrave optike ka pësuar po ashtu rritje krahasuar me disa vite më parë (2000 km në vitin 2009, 5600 km në gjysmën e parë të vitit 2012). Shpejtësia më e përdorur e internetit është 2 Mbps. Megjithatë, këto statistika tregojnë se Shqipëria është ende pas mesatares së Europës, ku broadbandi fiks llogaritet 5.32% në Shqipëri, ndërkohë që në Europë arrin 27.7%, ndërsa mobile broadband kap shifrën e ulët prej 1.34% në Shqipëri, ndërsa në Europë 7%.

Zëvendës kryetarii i KKRT-së(Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit) foli mbi kalimin e plotë të të gjitha kanaleve analoge në dixhitale, një plan ky që është parashikuar të përfundojë në qershor 2015. Ai theksoi se për të shmangur piraterinë, ndërhyrjen e politikës në media etj, do të duhet të përpilohet një plan i detajuar. Po ashtu, ai foli mbi disa nga strategjitë e subvencionimit të dekoderëve, të cilët janë pjesa kryesore në këtë proces.

Në tryezën e tretë rrumbullake dhe të fundit të këtij forumi ishin të pranishëm drejtorë dhe CEO të Ministrisë së Inovacionit dhe ICT-së, AKEP, AMC, Vodafone Albania, Albtelekom & Eagle Mobile, Plus, Digitalb dhe Abcom. Ata folën mbi rritjen e informacionit të nevojshëm që qytetarët marrin mbi broadbandin dhe secili foli mbi arritjet dhe sfidat e kompanisë së tij. Rrjeti 3.5G mbulon tashmë pothuajse të gjithë vendin, ndërsa kompanitë telefonike përpiqen të mbajnë teknologjinë e tyre në të njëjtin hap me pjesën tjetër të botës. Edhe njëherë u vu theksi mbi stimulimin e studentëve të kësaj fushe, në mënyrë që të garantohet në të ardhmen zhvillimi i tregut dhe gjenerimi i ideve të reja në ICT.

Së fundmi, disa prej kompanive më të suksesshme u vlerësuan me çmimet e këtij viti në fushën e ICT. (PCWorld Albanian)

Çmimi për Inovacion dhe edukim – Microsoft

CSR Exellence – Vodafone Albania

3G Bus Exellence – AMC

Triple Play Bus Exchange – Tring Group

Manager of the year – CEO i Albtelekom/Eagle, Orhan Coskun

Lajmet e fundit>