Lajmet

Funksioni “Feeling Shqiptar” në Facebook, nuk është i bazuar vetëm në Geolocation

Nov 12 2014
0 Shpërndarje
Funksioni “Feeling Shqiptar” në Facebook, nuk është i bazuar vetëm në Geolocation

Shqiptar_PCWARrjeti social Facebook me anë të funksionit të shprehjes së emocionit përmes statusit ka bërë shumë shqiptarë të shprehin ndjenjat patriotike. Por kjo ka shkaktuar jo pak irritim në mediat serbe të cilat në dallim nga mediat shqiptare e kanë konsideruar si provokim të radhës, duke aluduar deri në pikën që është manipuluar nga hakerat shqiptarë.

Por si ndodh në të vërtetë shtimi i emocionit? A ka ndonjë ndërhyrje njerëzore që menaxhon ikonat dhe shprehjet në këtë funksionalitet? PCWorld Albanian ka kërkuar disa informacione nga punonjës të Facbook të cilët nuk prononcohen publikisht, si dhe ka realizuar një hulumtim të shpejtë duke e testuar në disa shtete të ndryshme këtë funksionalitet. PCWA ka arritur në konkluzion se ky funksion është i bazuar në trendet e fjalëve kyçe në komunitete të caktuara, duke marrë për bazë fjalët më të përdorura nga një vendndodhje e caktuar, pra e thënë me fjalë të tjera duke e aktualizuar këtë fjalë kyçe për një kategori të caktuar të IP-ve.

Kjo vërteton faktin se në rajonet gjeografike kryesisht të banuara me shqiptarë si Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Britania, Zvicra, Belgjika, SHBA-ja funksioni “Feeling Shqiptar” është aktiv. Ndërsa në kontaktimet me shqiptarë në vende të tjera si Spanja, Portugalia ky funksion nuk shfaqet, gjë që vërteton faktin se ky funksionalitet bazohet në trendet masive specifike të fjalëve kyçe të përdorura në shtrirje të caktuara gjeografike.

Megjithatë, dhurata e Facebook ndaj shqiptarëve duhet të vazhdojë të konsiderohet e tillë, pasi edhe pse ky funksionalitet është i gjeneruar automatikisht, natyrisht që Facebook ka metoda aprovimi për fjalë të caktuara të cilat mund të jenë me përmbajtje jo të përshtatshme, çka do të thotë se fjala “Shqiptar” apo “Albanian” është mirëpritur si një mundësi argëtimi dhe përafrimi apo edhe komercializimi të mëtejshëm me audiencën shqiptare, ku Facebook vazhdon të mbajë fuqishëm vendin e pare të faqeve më të vizituara në Shqipëri. Facebook përdoret nga më shumë se 1.5 milion shqiptarë vetëm brenda Shqipërisë. PCWorld Albanian publikoi një letër publike virtuale dërguar nga një shqiptar rrjetit social në uebsitin e këtij të fundit në shenjë falënderimi me titull “Një letër virtuale për Facebook nga një Shqiptar” për nderimin e bërë.

Ju vëmë në dijeni se ky opsion tashmë nuk është më i disponueshëm në rrjetin social, çka e konfirmon faktin se përsa kohë kemi të bëjmë me një trend specifik, Facebook e ofron si funksionalitet për audiencat e përcaktuara gjeografikisht dhe në rastin tonë kemi të bëjmë me një karakter emocional si pjesë e statuseve në rrjetin social. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>