Lajmet

Fushata ‘Scroogled’ e Microsoft sulmon reklamat në Gmail

Feb 12 2013
0 Shpërndarje
Fushata ‘Scroogled’ e Microsoft sulmon reklamat në Gmail

ScroogledDikush nga Microsoft është shprehur së fundmi se, “Ne nuk kontrollojmë emailet tuaja për të shitur reklamat.”

Ky është pikërisht slogani që po përdor kompania për të ‘sulmuar’ Google dhe metodat e tyre reklamuese në Gmail.

Para një viti, Microsoft lançoi fushatën ‘Scroogled’, përmes së cilës ka kundërshtuar hapur edhe një nga shërbimet, gjithmonë e më tepër në rritje, të Google, pikërisht atë të përpunimit të tekstit, Google Docs. Microsoft është shprehur përmes një kënge të veçantë dhe një karakteri të quajtur Googen Apperson se shërbimet dhe produktet e tij Office, ndryshe nga Google Docs, janë më të besueshme dhe nuk varen nga lidhja me internetin.

Tashmë kompania po përpiqet të tërheqë përdorues të rinj në shërbimin e emailit Outlook.com, që sipas tyre, e kalon Gmail-in aq popullor të Google.

“Google skanon çdo email që dërgohet apo merret, duke kërkuar për fjalë kyçe në mënyrë që t’i përdorë më pas ato për të targetuar përdoruesit me reklama. Kjo është shkelje privatësie,” shkruhet në faqen e Microsoft-it Scroogled.com. “Outlook-u është ndryshe – ne nuk gërmojmë emailet tuaja për të shitur më pas reklama,” shkruhet po ashtu në faqe.

Microsoft ka nisur gjithashtu edhe një peticion përmes faqes thepetitionsite.com, duke i nxitur njerëzit t’i kërkojnë Google-t “të mos vazhdojë më të kontrollojë emailet tona për të shitur reklama.” Peticioni, i cili u hap në datën 7 shkurt, mori që ditën e parë 1.000 firma.

Qëllimi është të arrihen 25.000. Sipas Microsoft, 88% e amerikanëve nuk janë dakort me shërbimet që skanojnë emailet për t’u shfaqur më pas reklama të personalizuara.

Gmail-i përballë Outlook.com: Cili ofron një shërbim më të mirë

Google u ka shfaqur përdoruesve reklama, bazuar në fjalë kyçe që gjenden në inbox-et e tyre, që prej vitit 2004.

Nëse kohët e fundit keni marrë shumë emaile mbi fotografitë apo kamerat, ndoshta do t’ju interesonte të njiheshit me ndonjë ofertë që vjen nga një dyqan kamerash afër shtëpisë suaj,” shkruan Google në faqen mbi reklamat në Gmail. Targetimi i reklamave është diçka automatike, që do të thotë se emailet tuaja nuk i lexon asnjë nga punonjësit e Google.

Të pyetur në lidhje me këtë çështje, Google është shprehur se janë pikërisht këto reklama që i mbajnë në funksionim shërbimet e tyre pa pagesë. “Nga reklamat vjen një pjesë e rëndësishme e buxhetit të shumë faqeve dhe shërbimeve të Google,” shprehet një nga zëdhënëset e kompanisë. “Ne punojmë fort për t’u siguruar që reklamat janë të sigurta dhe të përshtatshme.”

Nga ana tjetër, Microsoft ve në dukje se përdoruesit nuk mund të zgjedhin t’i përjashtojnë reklamat nga emaili i tyre (gjithsesi, mund të përdorni pamjen HTML – ose të paguani 50$ në vit për një llogari pa reklama Google Apps).

Sigurisht, elementi më i rëndësishëm në këtë mes është fakti që Microsoft nuk shfaq reklama në shërbimin e vet Outlook.com. Kur ai u prezantua në korrik 2012, kompania nxorri në pah faktin që mungonin reklamat, si një nga elementët që e diferenconin më tepër nga shërbimiet e tjera.

Ne mendojmë se bisedat personale nuk duhet të shfrytëzohen për reklama,” u shpreh në atë kohë Chris Jones, shef i Microsoft Windows Live Group.

Por, edhe pse Microsoft nuk u shfaq reklama përdoruesve direkt në mesazhet e tyre të emailit, shërbimi shfaq reklama në faqen e inbox-it të Outlook-ut. Kompania është shprehur se në asnjë mënyrë nuk shet apo targeton reklamat bazuar në ato që shkruhen në subjektin e emaileve. Ata shprehen se reklamat bazohen në informacione të përgjithshme, si gjinia, mosha dhe kodi ZIP, të dhëna këto që janë dhënë nga vetë përdoruesi, kur ka hapur fillimisht llogarinë e tij. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>