Blog

Futbollistët shqiptarë Taulant Xhaka dhe Lorik Cana trend në Twitter

Oct 15 2014
0 Shpërndarje
Futbollistët shqiptarë Taulant Xhaka dhe Lorik Cana trend në Twitter

foto (1)Gjatë periudhës së ndërprerjes së ndeshjes së mbrëmshme të futbollit mes kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, në mesin e trendëve në rrjetin social Twitter ishte edhe emri i futbollistit shqiptar Taulant Xhaka.

Ndeshja u ndërpre për shkak të paraqitjes së papritur të një fluturakeje në të cilën ishte vendosur harta e të gjitha trevave shqiptare, në të cilën ishte vendosur flamuri kombëtar, si dhe ishte shkruar fjala “Autochthonus”.

Pas uljes së flamurit, lojtari i kombëtares serbe, Mitroviç e kapi flamurin për ta hequr atë nga fusha, por lojtari me origjinë nga Kosova, Xhaka, në shpejtësi reagoi dhe nuk e lejoi atë që ta bëjë largimin e flamurit në mënyrë të pakëndshme.

Kjo gjë i irritoi serbët, të cilët këtë akt filluan ta kundërshtonin me hedhjen e sendeve të ndryshme, gjë e cila e shtyu gjyqtarin që ta bëjë ndërprerjen e lojës 3 minuta pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë.

Edhe kapiteni i ekipit të kombëtares shqiptare Lorik Cana është përmendur shumë në Twitter, duke u pozicionuar në mesin e fjalëve më të përdorura në Twitter, në kohën kur po shfaqeshin fotografi nga media të ndryshme ndërkombëtare mënyra e vetëmbrojtjes që bënte ai nga sulmet e tifozëve serbë.

Edhe më parë shqiptarët kanë ditur të jenë mjaft të zëshëm në rrjetin social Twitter gjatë ngjarjeve të cilat tërheqin shumë vëmendje, si Liga e Kampionëve e vitit 2013, kur Bayerni i Mynihut shënoi fitore, në të cilën skuadër bën pjesë Xherdan Shaqiri, e që atë kohë në trend ishte fjala Kosovo.

Ndeshja u ndërpre dhe për shkak të situatës së tensionuar, nuk u bë vazhdimi i saj në po atë ditë dhe për fatin e saj pritet të merret së shpejti një vendim nga UEFA. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>