Analiza

Fytyra juaj mund të përdoret si fjalëkalim tek iPhone-ët e ardhshëm

Dec 5 2013
0 Shpërndarje
Fytyra juaj mund të përdoret si fjalëkalim tek iPhone-ët e ardhshëm

apple-patent-facial-recognitionNë të ardhmen mund të jemi në gjendje të hapim telefonin nëpërmjet fytyrës tonë. Kjo ide është regjistruar nga kompania Apple në formën e një patente të quajtur “Kontrolli i pajisjeve kompjuterike personale nëpërmjet identifikimit të fytyrës”.

Patenta shpjegon funksionimin e një metode të re për aksesimin e iPhone-it ose pajisjeve të tjera që ka në thelb përdorimin e fytyrës së përdoruesit si fjalëkalim. E njëjta metodë mund të përdoret për t’ju përgjigjur telefonatave ose për të kryer detyra të tjera.

Kjo teknologji do të skanojë fillimisht fytyrën e përdoruesit për të regjistruar të gjitha cilësitë unike të tij si për shembull, ngjyrën, përmasat dhe formën. I njëjti proces mund të përsëritet edhe për personat e tjerë të cilët përdoruesi i lejon të kenë akses ndaj iPhone-it të vet.

Para se përdoruesi t’i përgjigjet një telefonate, smartfoni do të skanojë fytyrën e tij për të vërtetuar nëse po përgjigjet personi i autorizuar ose jo. Në qoftë se identifikohet personi i duhur atëherë do të shfaqet pamja e zakonshme e ekranit kur vjen një telefonate, në të kundërt pajisja do të vazhdojë të qëndrojë e kyçur ndërkohë që bie zilja e telefonit.

E njëjta metodë sigurie mund të përdoret edhe tek e-mail-et. Në qoftë se përdoruesi i duhur drejton fytyrën ndaj iPhone-it atëherë do të hapet mesazhi më i ri në postën elektronike, ndërsa në qoftë se ndaj iPhone-it është drejtuar një fytyrë e paautorizuar atëherë e-mail-i nuk do të shfaqet dhe do të bllokohet për momentin.

Kjo teknologji duket sikur është më tepër e përshtatshme për smartfonët megjithatë, në patentën e siguruar nga Apple theksohet edhe përdorimi i saj në pajisjet e tjera si televizorë, PDA (Personal Digital Assistant) dhe kompjuterë personalë. Si për shembull, aktivizimi i opsionit “screensaver” mund të realizohet nëpërmjet skanimit të fytyrës dhe jo vetëm nëpërmjet qëndrimit të kompjuterit në qetësi për një periudhë të caktuar kohore.

Aprovimi i një patente nuk nënkupton me patjetër realizimin e një teknologjie, por duke marrë parasysh se Apple ka hedhur hapin e parë në evolucionin e fjalëkalimeve nëpërmjet prezantimit të sensorit Touch ID tek iPhone 5S që mund të identifikojë shenjën e gishtit të përdoruesit, mund të themi se përdorimi i skanimit të fytyrës është një hap tjetër logjik që mund të ndiqet nga kompania. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>