Lajmet

Gama e produkteve të Panasonic demonstrohet në Prishtinë

May 19 2011
0 Shpërndarje
Gama e produkteve të Panasonic demonstrohet në Prishtinë

Istvan Stark, drejtor menaxherial për rajonin e Evropës Juglindore pranë Panasonic u shpreh mjaft i kënaqur për prezantimin e parë të këtij lloji në Kosovë, dhe theksoi se kjo ngjarje nuk do të jetë e para e këtij lloji por se do të vazhdohet në këtë formë edhe në vjeshtë, e edhe në vitet e ardhshme. “Në këtë formë ne tentojmë të mbajmë në trend tregun në lidhje me produktet më të fundit të Panasonic dhe në lidhje me ato ekzistuese u shpreh ai”.

Erdin Hastor, menaxher regjional për tregun e Bosnjës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovë, i cili premtoi gjatë vitit të kaluar në seminarin vjeshtor të mbajtur me partnerë të Panasonic në Tiranë se do të vizitohet edhe Kosova, u shfaq mjaft entuziast në lidhje me këtë arritje dhe ritheksoi përkushtimin e Panasonic ndaj tregjeve në zhvillim e sipër si Kosova. Ai më pas bëri një prezantim të shkurtër të produkteve të Panasonic, të cilat i prezantoi edhe me më shumë detaje Ardijan Alija, Përgjegjës për Rajonin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke vënë në pah karakteristikat e fuqishme të televizorëve 3D dhe LCD LED të Panasonic, pastaj të teknologjisë plazma, aparateve, kamerave, blu-ray lexuesve, sistemeve muzikore shtëpiake, kinemave shtëpiake etj.

Ardijan Alija pati edhe një prezantim mjaft interesant në lidhje me vetitë e jashtëzakonshme teknologjike të teknikës së bardhë që prodhon Panasonic, duke vënë në qendër të vëmendjes një lavatriçe dhe një frigorifer, të cilët përmes teknologjive të ndryshme të inkorporuar në ta arrijnë të kursejnë energji elektrike deri në 50% më shumë. “Lavatriçja ka sensor të ndryshëm që mund të masin edhe peshën e rrobave të vendosura për larje e, dhe në këtë formë mund të kontrollohet niveli i ujit që nevojitet për t’i pastruar si dhe energjia e mjaftueshme elektrike, duke kursyer dhe kontrolluar në këtë formë çdo shpenzim. Kurse frigoriferi ka reparte të veçanta të kontrolluara me sensor që mund të ruajnë në mënyrën më të mirë perimet e juaja dhe nuk i lejojnë ato të kalben duke kontrolluar temperaturën në nivele të duhura” u shpreh Alija në prezantimin e tij.

Natyrisht tema qendrore e seminarit të organizuar sot, kryesisht për menaxherët e shitjes të partnerëve të Panasonic në rajonin e Kosovës, u koncentrua në demonstrimin e vet produkteve të saja, të cilët natyrisht nuk munguan as në prezantimin e performonës së jashtëzakonshme të teknologjisë 3D.

Unë pata rastin të testojë lojën Assassin’s Creed, në një televizor 3D të Panasonic, që shërbente si monitor direkt për një PC me performanca mjaft të fuqishme, dhe mund t’ju them se eksperienca është e jashtëzakonshme krahasuar me eksperiencën që shijon në ekran të zakonshëm të PC-së ose në TV të zakonshëm. Efektet dhe detajet, veçanërisht në ambiente ku ka grimca që fluturojnë drejt teje, apo edhe flluska uji kur kërcen në lum për të arritur në një breg tjetër, janë pjesët ku më së shumti vërehet efekti 3D dhe kjo është diçka që e bënë vërtetë unike një përvojë të tillë të argëtimit.

Në fakt problemi kryesor në rajonin tonë, jo vetëm në Kosovë, vazhdon të mbetet përmbajtja 3D, e cila shtynë konsumatorin që të blejë një produkt 3D. Vetëm në rast se blini një pranues të transmetimeve satelitore HD, atëherë ju mund të shijoni programe në 3D, siç janë disa kanale të dedikuara për këtë gjë apo edhe disa transmetime që bënë EuroSport. Opsion tjetër mbetet edhe blerja e një lexuesi Blu-Ray që përkrahë 3D, dhe i cili lidhet e një 3D TV, dhe në këtë formë të shijohet përmbajta 3D, por këtu kosto rritet dukshëm dhe ende konsumatori ynë nuk ka arritur në atë nivel që të ketë buxhet të mjaftueshëm dhe të investojë një shumë të këtillë (Nuk po e ceki por e imagjinoni vet sa kushton një pako e tillë argëtimi).

Sidoqoftë ngjarjet e këtilla janë të rëndësishme si për partnerët e Panasonic si Gama Electronics, Neptuon e ELKOS, e gjithashtu edhe për tregun e Kosovës, sepse rritet njohuria mbi produktet e fundit elektronike të një prodhuesi si Panasonic, dhe në anën tjetër ofrohet mundësia për zgjerim të njohurive në një nivel më praktikë për ata personat e shitjes që na prezantojnë zgjidhje të ndryshme blerjeje kur ne i vizitojë dyqanet e tyre.

Ndoshta do të kishte qenë më mirë po që se edhe partnerët vendor organizojnë demonstrime të produkteve para klientëve në ditë të caktuara, dhe në këtë formë mund të rrisin edhe njohuritë e tyre në një nivel më të lartë mbi produktet që ofrojnë për shitje, por në këtë drejtim mbetet ende shumë për tu bërë. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>