Analiza

Gartner: Numri i aplikacioneve të shkarkuara për vitin 2013 do të shkojë 102 miliard

Sep 20 2013
0 Shpërndarje
Gartner: Numri i aplikacioneve të shkarkuara për vitin 2013 do të shkojë 102 miliard

Deri në përfundim të këtij viti pritet që numri i shkarkimeve të aplikacioneve në gjithë botën të arrijë në 102 miliard.

Kjo e dhënë e publikuar nga Gartner përfshin vetëm shkarkimet nga dyqanet zyrtare on line të aplikacioneve.

Vihet re një rritje e konsiderueshme pasi vitin e kaluar kjo vlerë ka qenë vetë 64 miliard. Gartner thekson se 91% e aplikacioneve të shkarkuara kanë qenë pa pagesë dhe deri në vitin 2017 është parashikuar rritje deri në 94.5%.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se do të ketë ulje në shumën e të ardhurave për kompanitë.

Janë cilësuar shumë të suksesshme In-App Purchase (IAP) ose blerjet e përmbajtjeve apo produkteve të caktuara brenda një aplikacioni qoftë ky i fundit me pagesë ose pa pagesë. Mendohet se në vitet në vazhdim këto lloj blerjesh do të përbëjnë metodën kryesore të grumbullimit të fitimit nga kompanitë.

Pjesa më e madhe e aplikacioneve janë shkarkuar nga Apple App Store dhe Play Store, gjë që nuk është aspak e çuditshme duke marrë parasysh se Apple dhe Android janë platformat mobile dominuese në treg. Gartner ka zbuluar se përdoruesit e iPhone-ëve janë më të gatshëm të shkarkojnë aplikacione me pagesë sesa përdoruesit e pajisjeve Android.

Është parashikuar se në vazhdimësi ritmi i shkarkimit të aplikacioneve do të ngadalësohet pasi përdoruesit kanë tendencën të mbajnë aplikacionet që iu pëlqejnë me tepër dhe nuk tregojnë shumë interes për aplikacionet e reja. (PCWorld Albanian)

aplikacione

Lajmet e fundit>