Analiza

Gazetari i MacWorld, Joe Kissell: Pse dhe si po largohem nga Gmail-i

Nov 10 2013
0 Shpërndarje
Gazetari i MacWorld, Joe Kissell: Pse dhe si po largohem nga Gmail-i

Për sa kohë zgjati, eksperienca në Gmail ishte fantastike. Në këtë artikull, gazetari i MacWorld Joe Kissell, shpjegon arsyet se përse i dha fund përdorimit të Gmail-it dhe me çfarë po e zëvendëson atë. Tregimi i tij i mëposhtëm është i paraqitur në veten e parë.

Çfarë nuk shkon me Gmail-in

Gmail vepron shumë mirë me filtrimin e spam-it si dhe me kërkimin e postës. Google ofron po ashtu 15 GB hapësirë të lirë (e cila mund të ndahet edhe me shërbimet e tjera të tij). Nëse dëshironi të keni emrin tuaj në domein, mjafton të regjistroheni tek Google Apps for Business e cila kushton 5 $ në muaj për përdorues dhe përfshin shumë karakteristika të tjera shtesë. Një farë kohe, Google ofronte edhe një version pa pagesë të Google Apps, dhe përdoruesit si une, që arritëm ta kapnim këtë gjë, u regjistruam gjatë kohës që ishte pa pagesë. Kështu, mund të mbash llogarinë tënde për deri në 10 përdorues pa pagesë. Ofertë mjaft e mirë.

Unë nuk kam qenë kurrë i shqetësuar për skanimin që i bën Google fjalëve kyçe për të shfaqur reklama më të shenjëstruara apo faktit nëse qeveria po më përgjon. Shqetësimet e mia ishin në fakt më praktike se kaq. Shumë njerëz që po largohen kohët e fundit nga Gmail-i citojnë privatësinë si shqetësimin kryesor, por për mua, siç e përmenda edhe më lart, kjo ishte diçka e vogël. Kjo për arsyen se gjithmonë kam menduar që, në qoftë se do doja privatësi të plotë, atëherë duhet t’i enkriptoja vetë e-mailet.

Ja se cilat ishin disa prej shqetësimeve të mia kryesore:

Mungesa e shërbimit: Gjatë viteve të fundit, kanë ndodhur mjaftueshëm bllokime të Gmail-it, të cilat më kanë penguar punën gjatë momenteve kritike.

Mënyra jostandarde e trajtimit të mesazheve: Shumë njerëz e pëlqejnë mënyrën e veçantë dhe origjinale se si i përpunon dhe etiketon mesazhet Gmail-i. Por, kjo metodë nuk i përshtatej nevojave të mia. Në vend të kësaj, do të preferoja që Gmail-i të punonte si një server IMAP i zakonshëm. Edhe pse Gmail-in mund ta aksesosh nga IMAP-i, implementimi i IMAP-it në Gmail nuk është aspakt standard. Prandaj e dija se nuk do ta arrija dot kurrë atë që doja.

Kufizimet në lidhjet e njëkohshme IMAP: Gmail-i e kufizon numrin e lidhjeve të njëkohshme IMAP në 15, e cila është shifër e arsyeshme në pamje të parë – por, nëse shikon më thellë, vetëm Apple Mail përdor disa lidhje në të njëjtën kohë. Si rezultat i kësaj, nuk arrija të mbaja të hapur Mail-in si dhe llogarinë time në Gmail nga të gjitha pajisjet Mac dhe iOS në të njëjtën kohë. Kur lidhja pak më shumë se tre pajisje, fillonin të më shfaqeshin mesazhe gabimi.

Probleme me dërgimin e e-maileve: Kur dërgoja mesazhe përmes Gmail-it nga serveri im ueb – gjë që e bëja për shembull për të dërguar formularë online – ky veprim më nxirrte rezultate të çuditshme, si për shembull, përfshinte gjithmonë adresën time të e-mail-it si adresën dërguese në fushën “From”.

Probleme implementimi në Mavericks Mail: Apple Mail në Mavericks e trajton Gmail-in ndryshe nga versionet paraardhëse dhe teorikisht, kjo është gjë e mirë. Për shembull, tani mund të eliminoj mesazhet e dyfishta (kopje të njëra-tjetrës) duke mos harxhuar kot hapësirë në disk. Fatkeqësisht, performanca e Mail-it me Gmail-it ishte aq e dobët dhe me gabime gjatë javës së parë të përdorimit të Mavericks sa që më duhej ta mbaja hapur shfletuesin për të marrë e-mailet, gjatë gjithë kohës.

Disa prej ankesave të mia i referohen në mënyrë të veçantë Apple Mail-it dhe në fakt e mendova të ndryshoja klient. Kam provuar shumë të tjerë (si Bloop’s $2 Airmail, $10 Postbox, dhe Google $10 Sparrow), por nuk gjeta ndonjë që të ofrojë të gjitha karakteristikat të cilat më duhen nga kombinimi i Mail-it dhe shumë plugins-eve të tjera që përdor. Gjithsesi, në çdo rast, edhe një klient i përsosur nuk do t’i zgjidhte problemet me ndërprerjen e shërbimit, privatësisë apo implementimin skandaloz IMAP.

Si të kaloni në një ofrues tjetër

Në momentin që vendosa të largohesha nga Gmail-i, duhet të qëndroja me një ofrues IMAP për ta përdorur në vend të tij. Kam kërkuar mbi dyzina me shërbime me pagesë, përfshi FastMail, Hushmail, dhe Pobox. Edhe pse secili prej tyre kishte avantazhet e veta (disa janë shumë të mirë në filtrimin e mesazheve, ndërsa të tjerët kanë detaje të tjera interesante), vendosa për një zgjidhje jo fort të njohur: EasyDNS. I kam besuar prej kohësh kësaj kompanie kanadeze për të ofruar shërbimet DNS për disa prej domeineve të mia dhe paketa e tyre për 40 $ në vit DNSPro, të cilën po e përdorja aktualisht, përfshin një shërbim me karakteristika të plota webmail/IMAP të quajtur EasyMail. Duke qenë se domeinet e mia menaxhoheshin atje, setup-i ishte shumë i lehtë – dhe kalimi në EasyMail Apart nuk më kushtoi asnjë cent.

Hapat për transferimin e e-mailit nga Gmail tek një ofrues tjetër varen nga lloji dhe konfigurimi i serverit që përdor ofruesi i ri, si dhe nga mënyra se si i menaxhoni ju rekordet DNS. Por, në terma të përgjithshme, këto janë hapat kryesorë:

– Filloni me një kopje të gjithçkaje. Po supozoj se e përdorni IMAP-in me Gmail dhe se klienti juaj i e-mailit është i konfiguruar (shumica janë automatikisht) për të ruajtur kopje lokale të të gjitha mesazheve. Po ashtu, duhet të keni dhe një backup të gjithë mesazheve (mund të përdorni çdo lloj mjeti që preferoni për backup), thjesht për të qenë të sigurt.

Nëse përdorni një emër të personalizuar domeini, duhet të ndryshoni rekordet DNS që përdornit për t’i drejtuar tek Google, në mënyrë që të bëni drejtimin tek ofruesi i ri. EasyDNS e automatizon komplet proçesin.

– Ndryshoni opsionet (settings) e DNS-së: Nëse (dhe vetëm nëse) keni përdorur një emër të personalizuar domeini me Gmail-in, do t’ju duhet të hyni në regjistrin e domeinit ose në faqen e ofruesit të DNS-së dhe të ndryshoni rekordet që janë aktualisht të drejtuara tek serverët e Gmail-it, në mënyrë që ato të drejtohen tek ofruesi i ri IMAP. (Ofruesi juaj i ri duhet, normalisht, t’ju tregojë se çfarë opsionesh duhet të përdorni.)

– Ngritja e kutive të reja postare dhe ato me pseudonime (aliases): Në serverin e ri IMAP do t’ju duhet një kuti postare për secilin përdorues që po lëvizni. Nëse keni pasur një domein të personalizuar, do të doni që llogaritë e reja të jenë njësoj si ato të parat. Nëse keni hapur adresa të tjera të formës alias (pra, adresa shtesë që i çojnë email-et në një llogari të vetme) në Gmail, atëhere duhet të bëni edhe konfigurimin e tyre.

– Bëni forward Gmail-in: Nëse nuk keni përdorur një domein të personalizuar – pra, adresa juaj ka përfunduar me @gmail.com ose @googlemail.com – hyni në llogarinë tuaj në Gmail në ueb (si më parë), klikoni ikonën e ingranazhit dhe zgjidhni Settings nga menuja pop-up. Klikoni Forwarding and POP/IMAP, më pas klikoni Add Forwarding Address. Shkruani adresën e llogarisë suaj të re dhe ndiqni mesazhet për ta konfirmuar. Duke kryer këtë hap, do të siguroheni që email-et e dërguara në Gmail të vijnë sërish tek ju. Shtoni një llogari tjetër në Mail, zgjidhni ‘Other’ dhe ndiqni mesazhet për të hapur llogarinë e re IMAP.

– Shtojeni llogarinë e re në Mail: Në Mail, zgjidhni Mail > Preferences, klikoni Accounts, dhe klikoni butonin (+). Zgjidhni Add Other Mail Account dhe ndiqni instruksionet për të shtuar një llogari IMAP me emrin e përdoruesit, fjalëkalimin dhe adresat e serverit të ofruesit të ri. Pasi të shtoni këto kredenciale, Mail do të përpiqet të bëjë konfigurimin automatik të llogarisë dhe nëse kjo gjë dështon (ka shumë mundësi), Mail do t’ju kërkojë të plotësoni manualisht detajet e tjera. Në këtë pikë, keni edhe llogarinë e vjetër Gmail dhe të renë IMAP të vendosur në Mail. Shumë shpejt do të fillojnë të vijnë mesazhet por gjithsesi, do të keni ende mundësi të aksesoni llogarinë tuaj Gmail. Kjo gjë është e rëndësishme pasi ju mundëson të kryeni hapin pasardhës. Sillni një kuti postare në llogarinë tuaj të re IMAP në shiritin anësor të Mail-it për ta kopjuar. Por, kini parasysh se mund t’ju duhet të bëni edhe një drag-and-drop të përmbajtjes së kutisë së vjetër postare në atë të renë për të kopjuar gjithë mesazhet.

– Transferoni kutitë postare dhe mesazhet. Zgjidhni Mailbox > New Mailbox dhe krijoni një kuti postare (me çfarëdo lloj emri) në llogarinë tuaj të re IMAP. Duke bërë këtë, emri i llogarisë shfaqet në shiritin anësor të Mail-it. Tashmë mund të sillni një kuti postare nga llogaria në Gmail e shiritit anësor në llogarinë e re IMAP për ta kopjuar në vendndodhjen e re. Në disa raste, kjo lëvizje kopjon vetëm kutinë postare dhe jo përmbajtjen e saj; mund t’ju duhet të shkoni sërish në kutinë postare në Gmail, të zgjidhni gjithçka brenda saj, ta transferoni në kutinë postare korresponduese në serverin e ri IMAP dhe ta përsërisni këtë veprim nëse kërkohet sërish. (Ju rekomandoj të zgjidhni Window > Activity për të pasur kontroll mbi progresin sepse mund të zgjasë shumë.) Pasi keni konfirmuar se gjithë mesazhet dhe kutitë postare janë transferuar nga Gmail-i në llogarinë e re, mund ta hiqni llogarinë tuaj në Gmail nga Mail-i. Në Mavericks, duhet të zgjidhni llogarinë në panelin Accounts pane të System Preferences dhe të zgjidhni butonin minus (-).

Plotësime dhe përfundime

Largimi nga Gmail-i nuk do të thotë se nuk mund të vazhdoni të përdorni gjithë karakteristikat e llogarisë tuaj në Google – Google Drive, Google Calendar etj. Ato do të vazhdojnë të punojnë me kredencialet tuaja ekzistuese, madje edhe me Google Apps for Business. Thjesht në inbox-in tuaj në Gmail nuk do t’ju vinë më mesazhe.

Kini parasysh se nëse përdorni filtrat server-side të Gmail-it për të përpunuar mesazhet hyrëse, do t’ju duhet t’i rikrijoni në uebfaqen e ofruesit të ri dhe ndoshta do t’ju duhet t’i përshtatni edhe në Mail (ose ndonjë klient tjetër që përdorni) për t’i bërë të funksionojnë siç duhet më llogarinë e re.

Por, pjesa më e bezdisshme mbetet gjithmonë kalimi nga një ofrues në tjetrin. Sapo të keni përfunduar atë, mund të çlodheni dhe të përjetoni një eksperiencë IMAP jo me Gmail-in. (PCWorld Albania)

gmail-logo-100050086-gallery

Lajmet e fundit>