Blog

Gjithçka mbi Twitter

Nov 4 2009
0 Shpërndarje
Gjithçka mbi Twitter

Twitter lindi si një projekt brenda firmës amerikane Odeo, e cila do e përdorte këtë shërbim për komunikimin e punëtorëve midis tyre. Themeluesit Jack Dorsey (programuesi), Biz Stone (grafik dizajner) dhe Evan Williams e mbajtën këtë shërbim në fazë beta për disa muaj, për ta lançuar tamam më pas. Gjithashtu Twitter mori një çmim në kategorinë “Blog“ në South by Southwest Web Award. Më pas nisi edhe hapja e Twitter për publikun, duke u bërë rrjeti që ka pasur një rritje prej +422% nga viti i fundit. Gjithashtu mund të themi se Twitter ka bërë shumë boom, rasti më konkret është i avionit të rënë në lumin Hudson në New York. Ishte pikërisht një person që e postoi i pari këtë lajm në Twitter, nga ku e morën edhe gazetat edhe mediat.
Më poshtë keni një foto se si ishte menduar Twitter nga programuesit e saj.

Çfarë është Twitter dhe si funksionon?

Twitter është një rrjet social dhe një shërbim Mikro-Bloggin. Personat e regjistruar mund të dërgojnë mesazhe gjer në 140 karaktere dhe gjithashtu të marrin mesazhet e përdoruesve të tjerë. Mesazhet quhen “Updates” ose “Tweets“. Një opsion i këtij social network është se personat e regjistruar mund të ndjekin “follow” updatet e personave të tjerë duke u abonuar tek ata. Në faqen kryesore të Twitter mund të bëni updatet tuaja edhe të shihni updatet e personave që ju jeni duke ndjekur. Ai person i cili bën një update mund të zgjedhë se kush e sheh këtë, të gjithë apo vetëm një grup i caktuar.

Kush e përdor Twitter?

Në fillimet e tij, Twitter u përdor nga persona privat, por, duke parë suksesin e madh, kohët e fundit Twitter ka nisur të përdoret edhe nga kompanitë e mëdha. Këto kompani e përdorin si mjet marketingu për të lançuar produktet e tyre të reja dhe për të bërë oferta të ndryshme. Gjithashtu mund të përmendim që edhe personazhe të famshme të botës së spektaklit, të Holivudit apo të politikës e përdorin Twitter. Gjithashtu mund të themi se kanali televiziv CNN apo autori Ashon Kutcher kanë mbi 2 milionë ndjekës në këtë shërbim.

Personazhe të tjerë që përdorin Twitter janë: Barack Obama, Lance Armstrong, Nasa, Phoenix, SUN, Google e shumë të tjerë.

Çfarë e dallon Twitter nga shërbimet e tjera?

Shpejtësia: Duke pasur parasysh që secili prej nesh mund të shkruajë një tekst të shkurtër, qoftë edhe nga telefoni i tij, e bën këtë shërbim shumë të shpejtë. Mund të përdoret nga gazetarët për lajmërimin e diçkaje që ka ndodhur në atë moment, p.sh. rasti i lumit Hudson në New York.
Citimi i postimeve: Një mundësi tjetër që të ofron Twitter është edhe citimi I postimeve dhe kalimi i tyre dorë mbas dore. Aty keni një opsion i cili ju lejon të bëni Retweet diçka që ka shkruar një person tjetër dhe ta lexojnë të gjithë ata që të ndjekin ty.

Çfarë më duhet për të përdorur Twitter?

Nuk ju duhet asgjë më shumë sesa një kompjuter apo celular më akses në internet. Nuk duhen programe ekstra apo instalimi i diçkaje. Ka plot programe të vogla që ndihmojnë më shumë e që do t’i përmendim më poshtë.

Në cilën gjuhë është Twitter?

Twitter është fatkeqësisht vetëm në anglisht dhe japonisht. Versioni japonisht është ekskluzivitet i personave që banojnë në Japoni, kurse versioni anglisht mund të përdoret nga të gjithë. Por kjo nuk do të thotë që nëse ne jemi pjesë e një gjuhe tjetër (rastin jonë shqip), nuk mund të marrim pjesë. Ka shumë persona që dërgojnë Tweet në gjuhën e tyre mëmë.

Ka rreziqe në Twitter?

Duke parë suksesin e madh të Twitter, shumë persona përfitojnë për të përhapur viruse apo trojanë të ndryshëm. Duke pasur parasysh që Twitter lejon 140 karaktere, atëherë shumë persona dërgojnë linke të ndryshme në faqe me viruse apo e përdorin për phishing. Duke përdorur shërbime për shkurtimin e URL (psh bit.ly) ato mund të fshehin URL-të reale duke mos lënë të kuptohet gjë. Kjo është edhe një nga arsyet që ju nuk duhet të bëni klik mbi çdo tweet që shihni, sidomos mbi ato të personave që nuk i njihni fare. Kështu që këshillohet të keni instaluar një antivirus përpara se të klikoni në ndonjë link të tillë.

Një tjetër gjë për të cilën përdoret Twitter është edhe spam ose drejtimi në faqe të ndryshme ku shiten produkte, madje këto faqe janë edhe më të rrezikshme.

Gjithashtu ekziston edhe mundësia e llogarive false. Por për këtë gjë, Twitter ka marrë një masë, duke i verifikuar llogaritë e personave të njohur. Anash profilit të personave publik, nëse ekziston një buton që thotë “Verified”, lë të nënkuptohet që ky person është i “vërtetë”.

Përfitimet në Twitter

Kush tha që Twitter ka vetëm rreziqe? Twitter ka edhe disa ane të mira, që ndoshta drejtpërdrejt nuk dallohen qartë. Disa nga përfitimet janë:

  • Twitter ju detyron të jeni të saktë. Nëse e keni përdor Twitter, ju e dini shumë mirë që keni 140 karaktere në dispozicion. Me këto 140 karaktere ju duhet të thoni mendimin tuaj. Kjo nuk është shumë duke menduar se shkronjat, hapësirat, numrat dhe shenjat e pikësimit llogariten si karaktere. Kështu që ju me kaq pak hapësirë shkrimi duhet të jeni konkret. Ju duhet të gjeni mënyrën më të përshtatshme për të thënë sa më qartë e me pak fjalë diçka që të përmbajë shumë informacion. Kjo nuk është aq e thjeshtë sa duhet.
  • Twitter ju detyron të përmirësoni fjalorin. Siç e thashë më lart, ju duhet të zgjidhni fjalë të caktuara që të jenë sa më të shkurtra e të kenë një domethënie apo përmbajtje të madhe. Që të bëhet kjo gjë, ju duhet të jeni i mirinformuar mbi fjalët apo sinonimet e diçkaje. Nëse nuk do të arrini dot, atëherë do të hyni të kërkoni apo të pyesni dhe kjo gjë sjell në zgjerimin e fjalorit tuaj. Ju mund të mësoni shumë fjalë apo folje të reja që nuk i dinit më parë. Gjithashtu vlen për t’u përmendur edhe fakti që fjalët anglisht janë shumë më të shkurtra e kanë përmbajtje më të madhe, gjë që i shtyn pothuajse të gjithë të përdorin gjuhën angleze në lëshimin e Twettave të tyre. Pra, mund të themi prapë që Twetter ju zgjeron fjalorin e një gjuhe të huaj.

Shërbimet për Twitter:

Si mund ta përdorim?

Ka shumë shërbime që e mundësojnë këtë gjë. Le të marrin rastin e përdorimit të Twitter nga kompjuteri dhe nga celulari.

Nga Pc: Ju mund të instaloni një shtojcë të vogël në Firefox. Shtojca e ka emrin TwittFox dhe mund të shkarkohet në www.twitterfox.net. Pas instalimit, të gjithë Twitter e lëshuar mund të shfaqen në anën e majtë të poshtme të broswer-it tuaj.

Për Mac: Përdoruesit e kompjuterëve Apple mund të përdorin p.sh. programin Twitterrific, që mund ta shkarkoni te www.twitterrific.com.

Për celularë: Twitter ofron vetë një shërbim që është optimizuar për celularë dhe që mund të gjendet në adresën m.twitter.com . Gjithashtu për iPhone mund të përdorni programin e sipërm, që ishte edhe për Mac.

Shërbime ekstra për Twitter:

Përveç Twitter, ekzistojnë edhe shumë mënyra të tjera, të cilat ofrojnë diçka më shumë për Twitter. Le të përmendim disa prej tyre.

TwitterAlarm – http://www.tweetalarm.com/

Ky shërbim ju njofton sa herë dikush tjetër flet për ju në Twitter. Gjithashtu mund të lajmëroheni edhe për gjëra të tjera që ju interesojnë. Luan rolin e Google Alerts.

Twitpic: http://twitpic.com/

Mundëson postimin e fotove të ndryshme në Twitter. Ju mund t’i ngarkoni në Twitpic dhe më pas t’i bëni share në Twitter me anë të mesazheve.

12 Second Tv: http://12seconds.tv/

12 Seconds.tv mundëson postimin e videove tek Tweeter. Por si e shihni e nga titulli që videot nuk mund të jenë më të gjata se 12 sekonda? Mos harroni që në këto 12 sekonda mund të thuhen apo bëhen shumë gjëra.

Twitdraw: http://www.twitdraw.com/

Me këtë shërbim ju mund të vizatoni diçka dhe ta postoni më pas në Twitter. Gjithashtu ju keni edhe mundësinë e shikimit të galerisë së personave të tjerë.

Buytter: http://www.buytter.com/

Një shërbim i cili mundëson “përcaktimin” e vlerës së llogarisë suaj në Twitter. Shumë mirë nëse arrini një sukses të madh me llogarinë tuaj, p.sh. duke pasur mbi 10.000 ndjekës, atëherë mund të kërkoni t’ia shisni llogarinë tuaj ndonjë firme.

Twitdoc: http://www.twitdoc.com/

Ashtu si shërbimi për postimin e fotove apo videove, ky është një shërbim i cili mundëson shkëmbimin e dokumenteve të ndryshme në Twitter. Ju ngarkoni dokumentin tuaj aty edhe më pas postoni linkun nga ku mund ta shkarkojnë të tjerët në Twitter.

Shpresoj që të keni mësuar diçka më shumë mbi Twitter dhe të bëheni përdorues në këtë shërbim mikroblogging. Gjithashtu mund të më ndiqni edhe mua me postime e lajme interesante në http://www.twitter.com/RomeoLab

Lajmet e fundit>