Blog

Gjuha standarde në IT nuk është luks, por domosdoshmëri për sukses

Jun 1 2009
0 Shpërndarje
Gjuha standarde në IT nuk është luks, por domosdoshmëri për sukses
Të vjen keq kur sheh site të përsosur nga ana grafike apo funksionaliteti, mbështetur në ide të shkëlqyera, që mund të kthehen në një lumë parash, por ç’trishtim… Që në faqen e parë një mal me gabime gramatikore dhe terma të përkthyer keq apo të pa përkthyer fare. Gjithë ajo punë e lodhshme mbi kompjuter bie në një sekondë, sepse teksti është shkruar keq.
 
Personalisht nuk e marr mundimin as të kaloj në faqen e dytë të një gazete apo faqeje në internet, autorët e të cilës nuk i japin rëndësi gjuhës së publikimit. Për dikë mangësitë gjuhësore mund të jenë të tolerueshme, por jo për mua dhe plot të tjerë.
 
Por nuk është vetëm kaq. Gabimet gjuhësore janë shpesh shkaku kryesor i mosgjetjes të faqeve nga motorët e kërkimit. Kjo në vetvete përkthehet në më pak vizita në faqe dhe përfundimisht më pak para për atë që ka kaluar net të tëra mbi kompjuter, për të krijuar diçka me dashuri e përkushtim.
 
Gjuha është një standard mbi të cilin mbështetet gjithçka në kohën tonë të informatikës moderne. Gjithçka është e mbështetur mbi baza të dhënash të ndërtuara nga fjalë dhe shprehje. Ndaj, njohja e mirë e gjuhës nuk është një kërkesë intelektuale idilike, por një domosdoshmëri në fushën e biznesit.
 
Një e-mail i shkruar keq ka shumë mundësi të mos lexohet fare, por edhe kur lexohet vlera e tij ulet në maksimum, sepse marrësi/lexuesi mendon drejt-për-drejt: A mund të jenë të vërteta e të besueshme këto që thotë ky e-mail kur autori nuk di të shkruajë mirë. Të shkruash shpejt e shkel-e-shko është një vendim fatal në biznes. Është e njëjta gjë sikur të takosh dikë në rrugë dhe t’i flasësh gjysma-gjysma, herë në shumës e herë në njëjës, herë me ti e herë me ju. Në fund bashkëbiseduesi do të mendojë se je i dehur apo i metë dhe do të largohet.
 
Të gjithë kombet kanë krijuar të ashtuquajturën “gjuhë standarde” në mënyrë që të gjithë të merren vesh lehtësisht, që adresat të shkruhen njësoj, që pazari të shkojë mirë, që edhe kur të jemi në anën tjetër të globit me dikë që nuk e njohim fare, por që flet gjuhën tonë, të merremi vesh si duhet. Komunikimi është mjeti i vetëm i përparimit dhe nëse nuk komunikojmë me të njëjtën gjuhë nuk mund të përparojmë.
 
Nga ana tjetër standardizimi i komunikimit gjuhësor nuk është një dëshirë për të mbrojtur kulturën, por një kërkesë e domosdoshme për mbijetesën e kësaj kulture. Kur ky standardizim është arritur, as ata që e kanë krijuar nuk mund ta ndryshojnë, sepse hartat janë shkruar me këtë gjuhë, librat po ashtu, pullat e postës mbajnë të njëjtët terma, makineritë i kanë manualet e tyre në këtë gjuhë, policët të komunikojnë gjobat me këtë gjuhë dhe gjyqtarët përpiqen t’i shqiptojnë vendimet e tyre sa më qartë me këtë gjuhë, që të mos ketë keqkuptime.
 
Në gjithë këtë mori kërkesash për standardizim, a mendon kush se teknologjia informatike bën përjashtim? IT mbështetet mbi standarde të padiskutueshëm, sepse VAN është furgon dhe WAN është Wide Aria Network, Sepse RRJET nënkupton kompjuterë të ndërlidhur dhe RRJETË është një mjet për peshkim.
 
Ka dhe diçka që besoj se është shumë më e rëndësishme. Megjithëse gjuhën e njohim dhe e flasim të gjithë, nuk është vetëm e jona dhe nuk mund ta bëjmë si na do qejfi. Duhet ta shkruajmë ashtu si duhet sepse në këtë formë respektojmë veten dhe të tjerët.
 
Ju garantoj se nëse dikush do të shkruante një anglishte të çalë në Angli apo Amerikë, nuk do të mund të gjente punë më të lartë se sa shofer. Bota ka krijuar një standard dhe profesion mbi këtë standard: Proofreader – Korrektor, në shqip. Para se Obama të dalë e t’i flasë popullit amerikan një redaktor gjuhësor merr fjalimin e tij dhe i bën gjithë korrigjimet e nevojshme, që askush mos tallet me gafat e presidentit. Edhe librat e Kadaresë do të ishin një skandal, por qe se një redaktor nuk do të nxirrte sytë duke korrigjuar çdo gabim.
 
Në çdo njoftim pune lexohet: Të komunikojë dhe shkruaj mirë!
 
Ndaj, për t’ju kthyer asaj që po thosha në fillim, më vjen keq kur shoh faqe shqiptare në internet, që nuk dinë se shqipja ka Ë dhe Ç (na pëlqejnë apo jo nuk ka rëndësi), se gjuha letrare nuk është bërë për qejf, por nga halli, që të merremi vesh mirë me njëri-tjetrin, se… “Ai ka pare” dhe “Ai ka parë”, janë dy gjëra shumë të ndryshme.

 

Lajmet e fundit>