Lajmet

Gjykata zviceriane urdhëron modifikime në Google Street View

Jun 10 2012
0 Shpërndarje
Gjykata zviceriane urdhëron modifikime në Google Street View

Gjykata e lartë e Zvicrës të premten aprovoi të drejten themelore të Google për të dokumentuar pamjet e rrugëve rezidenciale me anë të teknologjisë Street View, por imponoi disa kufizime në llojet e imazheve që kompania mund të bëjë.

Ky vendim e lë shërbimin të paprekur në Zvicër, që njihet si shteti me masat më të rrepta të privatësisë në botë. Rregullatorët zvicerian dhe Google deklaruan se të dyja palët janë shumë të kënaqura me këtë vendim.

Google, ende vazhdon të përballet me hetime në Europë për shkak të dominimit të tregut të kërkimit në Internet. Të premten, komisioneri i konkurrencës që është duke e udhëhequr këtë hetim, i dha Google një afat deri në korrik që të vijë me “shenja konkrete” për të ofruar zgjidhje.

Komisioneri, Joaquín Almunia, tha në një fjalim se nëse propozimet “nuk janë të kënaqshme, atëherë procedimet formale do të vazhdojnë përmes adoptimit të një deklarate kundërshtuese.”

Google në anën tjetër, deklaroi se ka bashkëpunuar me komisionin rreth kësaj çështjeje.

Street View filloi si një projekt ambicioz për të fotografuar rrugët e botës. Por më vonë u kthye në një telash kur u kuptua që makinat e Street View që fotografonin rrugët, gjithashtu mbledhnin të dhëna të paenkriptuara nga rrjetet wireless- pjesë të emailëve, fotografi, fjalëkalime, postime në Ueb faqe si dhe informacione të tjera private.

Google ka deklaruar se mbledhja e informacioneve private ishte aksidentale, por raporti i Komisionit Federal për Komunikim nuk qe në gjendje që të vërtetoj plotësisht këtë pikëpamje. Në muajin prill, KFK gjobiti Google me 25,000 dollarë, me arsyetimin se kjo e fundit kishte bllokuar një hetim për Street View. Google deklaroi se të dhënat nuk ishin përdorur në asnjë produkt të Google.

Vendimi i gjykatës zviceriane nuk përfshinë mbledhjen e të dhënave private të Internetit por përqendrohet në kushtet për fotografimin e rrugëve të shtetit.

Google lansoi Street View në Zvicër gjatë vitit 2009, ku privatësia mbrohet aq fortë saqë shumica e banorëve nuk vendosin emrat e tyre as edhe nëpër kutitë postare.

Në vitin 2010, rregullatori kombëtar ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Street View duke kërkuar që teknologjia e pikselëve të Google, që mjegullon disa imazhe, të funksionoj pa asnjë gabim, gjatë gjithë kohës. Nëse gjykata e lartë do të ishte e të njëjtin mendim me rregullatorin, atëherë Google do të detyrohej të largoj shërbimin Street View nga Zvicra për shkak se nuk do të mund t’i përmbahej kërkesave për saktësi absolute.

Në vendimin e së premtes, Gjykata Supreme Federale, Bundesgericht, tha që Google nuk ka nevojë të garantoj mjegullimin e njëqind përqind të fytyrave të kalimtarëve, tabelave të makinave dhe shenjave të tjera identifikuese të fotografuara nga makinat e Google Street View; por 99 përqind është e pranueshme. Kompania me seli në Mountain View, Kaliforni, thotë që teknologjia e saj mjegullon fytyrat dhe tabelat e makinave në 99 përqind të rasteve.

Derisa gjykata zviceriane u vu në anën e Google sa i përket përshtatshmërisë së metodave të pikselëve digjital, megjithatë paneli aprovoi edhe kushtet e kërkuara nga rregullatori kombëtar. Këto kushte e obligojnë Google që të zbres kamerat e Street View në mënyrë që të mos fotografojnë kopshtet dhe rrethojat, që të mjegulloj plotësisht objektet e ndieshme siç janë strehimoret e femrave, burgjet, shtëpitë e pleqve dhe shkollat, si dhe të njoftoj komunitetin paraprakisht për datat e fotografimit.

Marc Rotenberg, drejtor ekzekutiv i Electronic Privacy Information Center, që ka kritikuar projektin, e quajti vendimin si një shtrëngim të rëndësishëm të aftësisë së Google për të filmuar në publik. “Vendimi i gjykatës zviceriane rreth çështjes së Street View vë më shumë presion ndaj Google që të heq dorë nga ky shërbim kontrovers,” deklaroi Rotenberg.

Mirëpo, Daniel Fischer, avokat i privatësisë në firmën AFP Advokatur Fischer & Partner në Zyrih, e quajti verdiktin si “një kompromis ligjor tipik zvicerian.” Ai shtoi, “Që të dy palët duhet ta ruajnë fytyrën.”

Peter Fleischer, këshilltar i privatësisë në Google, në një deklaratë për shtyp tha se kompania do të rishikoj rekomandimet për rregullim të procedurave të shërbimit Street View në Zvicër.

“Ne jemi të lumtur që gjykata zviceriane ka aprovuar pjesën kryesore të apelit tonë, që nënkupton se ne kemi kontroll të fuqishëm të privatësisë në Street View,” deklaroi Fleischer.

Hanspeter Thür, komisioneri federal për mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve, i cili kishte paraqitur ankesën kundër Google, deklaroi se ishte shumë i kënaqur me vendimin e gjykatës.

Në deklaratë thuhej se “Ky vendim përkrahë thelbin e argumentit tonë ligjor.”

Rasti i Zvicrës ishte i fundit që mbahej pezull në Europë duke sfiduar legjitimitetin themelor të metodave të fotografimit që përdoren nga Street View, që fillimisht kishin ngritur brengat e privatësisë para pesë vitesh. Me përjashtim të Greqisë, të gjitha gjykatat dhe rregullatorët europian kanë lejuar Google që të fotografoj rrugët në 25 shtete në Europë, edhe pse në të shumtën e rasteve me kufizime.

Prokurorët gjerman në Hamburg si dhe mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave po vazhdojnë të hetojnë mbledhjen ilegale të të dhënave të Internetit.

Që kur KFK (Komisioni Federal i Komunikimit) gjobiti Google, kanë ekzistuar agjetacione në Britani, dhe në Shtetet e Bashkuara për një hetim më të thellë. Një koalicion prokurorësh që po merret me çështjen është duke vazhduar hetimet, por deri më tani nuk ka arritur rezultate të kënaqshme. Gjykata zviceriane, gjithashtu tha se Google duhet të ofroj më shumë informacione rreth Street View, duke ju mundësuar njerëzve që të largohen nga arkiva e fotove përmes shërbimeve të postës tradicionale, dhe online.

“Shumë njerëz në Zvicër nuk kanë qasje në Internet, dhe ata janë ndier të frustruar me refuzimin e Google për të ofruar një adresë të saktë postare për ankesat e tyre,” deklaroi Eliane Schmid, zëdhënëse e rregullatorit zvicerian për privatësinë e të dhënave.

Google punëson qindra punëtorë në zyrën e saj regjionale në Zyrih, njëra ndër më të mëdhat jashtë Shteteve të Bashkuara. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>