Lajmet

Gjykatësi në kontestin e gjigantëve: Tabletët e Samsung nuk janë “cool si iPad”

Jul 10 2012
0 Shpërndarje
Gjykatësi në kontestin e gjigantëve: Tabletët e Samsung nuk janë “cool si iPad”

Gjykatësi britanik morri një vendim, ku thuhet se tabletët e Samsung nuk i shkelin patentat e Apple sepse “nuk janë cool sikur iPad”.

Kur e dëgjoni dikë që thotë se tabletët e Samsung “nuk janë cool sikurse iPad”, sigurisht se do të mendonit se kjo është deklaratë e ndonjë adhuruesi të Apple i cili përdor vetëm Mac, iPhone dhe iPad, por besoni apo jo, këtë deklaratë e dha një gjykatës britanik në seancën gjyqësore rreth kontestit mes Apple dhe Samsung për shkelje patentash.

Sikurse edhe në disa tregje të botës, Apple edhe në Britani paraqiti ankesë kundër Samsung në të ciliën akuzuan kompaninë jugkoreane se me modelet e saj të tabletëve kanë kopjuar dizajnin e iPad-it të tyre.

Mirëpo, gjykatësi Colin Birss hodhi poshtë ankesën e Apple duke thënë se të tre modelet e tabletëve Samsung Galaxy (Galaxy Tab 7.7, 8.9 dhe 10.1), nuk i shkelin patentat e Apple dhe nuk e kopjojnë dizajnin e tabletëve të tyre duke shtuar se këta tabletë “nuk janë cool sikurse iPad”. Modelet e Apple dhe Samsung nga ana e përparme janë shumë të ngjashëm, por dallimi mes tyre është se tabletët e Samsung janë shumë të hollë dhe kanë “detaje të pazakonshme nga ana e pasme.”

Edhe pse njerëzit nga Samsung nuk u pajtuan me këtë konstatim se si tabletët e tyre nuk janë shumë cool, megjithatë janë të kënaqur me vendimin se këta nuk i shkelin patentat e Apple dhe nuk e kopjojnë iPad-in.

Kompania Apple sigurisht se do të apelojë kundër këtij vendimi (gjykatësi ju dha kohë tri javë për apelim) – dhe zëdhënësi i kësaj kompanie tha se prodhimet e Samsung duken sikurse iPad-i dhe iPhone-i dhe se ata duhet të mbrojnë pronësinë e tyre intelektuale prej kopjimit të dukshëm që po kryhet nga Samsung.

Kjo është vetëm një vazhdim i luftës gjyqësore që po bëjnë këto dy kompani kundër njëra- tjetrës dhe e cila së fundmi ka rezultuar me ndalimin e shitjes së tabletit Galaxy Tab 10.1 të Samsung dhe telefonit Galaxy Nexus (ndalimi i shitjes së telefonit në ndërkohë u pezullua përkohësisht), në ShBA. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>