Lajmet

Glide OS

Jan 26 2009
0 Shpërndarje
Glide OS

Në Maj të këtij viti u lëshua versionin 3.0 i Glide, ndërsa versioni i parë ishte publikuar në nëntor të vitit 2005.

Ky sistem operativ ofron qasje universale te skedarët onlinë, pa marrë parasysh ku gjendeni apo çfarë pajisje përdorni për të pasur qasje dhe se ç’platformë përdorni Mac, Linux apo Windows.

Sistemi gjithashtu ofron menaxhimin e të drejtave të aksesit që ju lejon të ndaloni apo lejoni qasjen te skedarët tuaj të përdoruesve të ndryshëm. Për shembull, mund të kufizoni qasjen në një skedar të caktuar, që të shikohet nga një përdorues i caktuar, për disa herë të caktuara, ose mund të kufizoni limitet e ngarkimit, strukturën e modifikimit të skedarëve, menaxhimin e projekteve dhe grupeve, si dhe shumë mundësi tjera.

Për më tepër, Glide OS ofron 20 aplikacione të zhvilluar me teknologjinë Web 2.0. Mund të krijoni përmbajtje nga cilido vend e çdo pajisje me lidhje në Web. Këtu përfshihen editues fotosh, procesues teksti, program prezantimi, aplikacion tabelash, klient për e-mail, vegla për menaxhim projektesh, vegla kalendari, programe takimesh, krijues slideshows dhe të tjera.

Më shumë se 75 pajisje mobile, duke përfshirë iPhone, iPod Touch, BlackBerry Pearl, pajisje nga HP, Kyocera, LG, Nokia, Palm, Samsung, Sony Erisson dhe prodhues të tjerë, kanë inkuadruar tani mundësinë e përdorimit të Glide. Qasja te të dhënat realizohet nga një aplikacion sinkronizimi i quajtur One, i cili punon në sistemet operative Mac OS X, Windows dhe Linux. One lejon të sinkronizoni muzikën, dokumentet dhe fotot nga kompjuteri apo telefoni celular.

Si funksionon Glide OS?

Për dallim nga sistemet operative tradicionale si Windows, Mac OS X ose Linux, Glide OS bazohet në ueb, mbështetur në AJAX dhe Flash, ku aplikacionet jetësohen në shfletuesin e përdoruesit dhe duket si sistem operativ i vërtetë. Glide OS të jep ndjenjën e punës në një sistem operativ në desktop, me ikonat, menytë, aplikacionet, sistemin e skedarëve, etj.

Si përdoret?

Nuk duhet të instaloni ndonjë gjë që të punoni në Glide. Kërkohet vetëm regjistrimi në www.glideos.com. Një shfletues çfarëdo me Flash Player të versionit më të fundit mjafton, pasi Glide është shkruar në Flash. Mund të instaloni edhe aplikacionin për desktop, i cili sinkronizon dokumentet, fotografitë, videot, muzikën, kontaktet dhe kalendarin. Ky aplikacion punon si në Windows ashtu edhe në OS X, Linux dhe Solaris.

 

Çka përmban Glide?

Glide ndahet në tri ndërfaqe: Desktop, Glide HD dhe Portal. Në ndërfaqen Desktop janë vendosur ikonat e Photo Edit, Crunch, Meeting, Write, Calendar, Present, Email, Cube dhe ikona tjera. Gjithashtu këtu gjendet edhe shkurtesa e Glide HD, që është një lloj organizuesi skedarësh ku ndahen muzika, videot, fotografitë dhe dokumentet. Kjo mundëson kategorizimin e skedarëve sipas përmbajtës së tyre. Sapo të ngarkoni ndonjë dokument, do të klasifikohet në grupet e ndara për secilin skedar. Tek ndërfaqja Portal mund të shikoni shumë uebfaqe, të cilat sugjerohen nga Glide, apo që i ruani ju në kategori të ndryshme.

Glide ofron shumë aplikacione të ngjashme me aplikacionet që mund të gjenden në sistemet operative të instaluar në pajisje mobile ose PC. Aplikacioni Write zëvendëson Word të Microsoft Office, Present është për krijimin, editimin dhe shfaqjen e prezantimeve dhe ka funksione të ngjashme me Power Point. Glide Crunch merret me tabelat dhe zëvendëson Microsoft Excel. Në desktopin e Glide mund të gjendet edhe një editues fotosh i emëruar Photo Edit, me funksione bazë dhe disa filtra që përdoren në shumicën e edituesve të fotografive. Mund ta përdorni Cube për shikimin e videove apo fotografive, si dhe dëgjimin e muzikës apo materialeve tuaja multimediale, që keni ngarkuar në llogarinë tuaj.

Glide ofron mundësinë e konfigurimit të llogarinë për e-mail, që të mund të merrni mesazhet brenda Glide OS dhe të dërgoni e-mail nga atje përmes adresës suaj ekzistuese IMAP, POP3 apo adresës falas që Glide OS hap për ju kur regjistroheni. Kalendari është një aplikacion shumë i përshtatshëm për caktimin e detyrave dhe takimeve. Opsioni Meetings është një aplikacion i fuqishëm që ju lejon të organizoni mbledhje në mënyrë shumë të shpejtë dhe të lehtë. Në këto mbledhje mund të marrin pjesë ata që janë regjistruar dhe ata që nuk janë regjistruar në Glide OS. Në këto mbledhje mund të shfaqni  video, fotografi dhe skedarë tjerë që Glide përkrah. Mund të përdorni mikrofonin, uebkamerën, tabelën e bardhë dhe shumë mundësi tjera. Krijimi i grupeve në Groups ju lejon të shpërndani skedarët tuaj shumë lehtë dhe në mënyrë të sigurtë.

GlideKosova.org dhe GlideAlbania.org

Përdoruesit shqiptarë mund të përdorin faqet www.glidekosova.org ose www.glidealbania.org për të hapur apo pasur qasje në llogaritë e tyre. Kur të hapni këto faqe do të shihni se Glide është kujdesur edhe për përdoruesit shqipfolës, duke ofruar informacione në shqip. Zyrtarët e Glide kanë bërë të ditur se në të ardhmen do të punohet në përkthimin dhe lokalizimin e Glide në gjuhën shqipe.

Glide mund të përdoret falas me 10 GB hapësirë, ndërsa ofertat me pagesë fillojnë nga 4.95$ në muaj ose 49.95 në vit. (PCWorld Albanian)

Tags >

Glide
Lajmet e fundit>