Biznes

Google blen kompaninë që dizajnon robotë, Boston Dynamics

Dec 20 2013
0 Shpërndarje
Google blen kompaninë që dizajnon robotë, Boston Dynamics

bstnrbtics98adfaBoston Dynamics është një kompani që merret me dizajnimin e robotëve si dhe me inxhinierimin e tyre, e cila sapo është blerë nga gjigandët e Google.

Blerja e ditës së premte tregon edhe njëherë se sa serioze janë ambiciet e kompanisë në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës. Kjo kompani pritet të ndihmojë fuqishëm në zhvillimin e mëtejshëm të makinave që ngasin veten në Google.

New York Times, të cilët kanë publikuar lajmin, nuk kanë përmendur asnjë shifër konkrete financiare, megjithatë gazeta ka shkruar se Boston Dynamics do të vazhdojë të përmbushë kontratat aktuale me agjenci të ndryshme. Një prej tyre është DARPA, një nga degët e ushtrisë amerikane.

Ndër pajisjet më të njohura të Boston Dynamics është një koleksion i gjerë me robotë, prej së cilëve, më i famshmi BigDog, i cili është një robot me katër këmbë. Ai mund të ecë në lloje të ndryshme terreni. PETMAN, një tjetër robot mjaft i vlerësuar, i cili ka formën e njeriut, është përdorur për testimin e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake.

Të dy lëvizin në forma mjaft të ngjashme me njeriun. Nëse do t’i shihnit në veprim, do t’i krahasonit me robotët që shohim shpesh nëpër filmat fantastiko-shkencorë të Hollivudit.

Deri tani as Google dhe as Boston Dynamics nuk kanë dhënë ndonjë koment lidhur me blerjen. Gjithsesi, analistët mendojnë se blerja e kësaj kompanie do të ndikojë në integrimin e harduerit të saj me softuerin ekzistues në makinat që ngasin veten.

Por, duke sjellë teknologjinë e kësaj kompanie në punën e vet, Google shkon përtej sistemeve kontrolluese të makinave robotike. Një opsion mund të jetë edhe vetë dizajnimi dhe zhvillimi i robotëve. (PCWorld Albanian)

Tags >

Google
Lajmet e fundit>