Lajmet

Google nisë fushatën për sensibizilimin e përdoruesve të infektuar me DNSChanger

May 23 2012
0 Shpërndarje
Google nisë fushatën për sensibizilimin e përdoruesve të infektuar me DNSChanger

Google ka nisur një projekt ambicioz për të informuar rreth gjysmë milionë përdorues, se kompjuterët e tyre janë të infektuar me virusin malinj të quajtur DNSChanger. Qëllimi i këtij projekti është që përdoruesit të lajmërohen në kohë. Nëse deri në 9 korrik, ata nuk e rregullojnë problemin e infeksionit me këtë virus, atëherë lidhja e tyre me internet do  të shkëputet, për arsye se FBI do të bëjë fikjen e serverëve, të cilët janë nën kontrollin e kompjuterëve të infektuar.

Paralajmërimi do të shpallet në krye të faqes me titullin: “Kompjuteri juaj duket se është i infektuar”. Ky është teksti që Google do ta shpërndajë për përdoruesit me kompjuter të infektuar, duke dhënë edhe informacione shtesë se pse këta përdorues nuk mund të kenë qasje në internet pas datës 9 Korrik.

DNSChanger, një kod malinj me emrat RSPlug, Puper dhe Jahlav, ishte aktiv derisa FBI-ja në nëntor të vitit të kaluar,  në bashkëpunim me qeverinë e Estonisë arrestoi 6 vetë që ishin përgjegjës për përhapjen e këtij virusi dhe mashtrimin me klikime.


DNSChanger i drejtonte kompjuterët e infektuar tek DNS serverët, të cilët ishin nën kontrollin e këtyre mashtruesve. Por në vend që përdoruesit e kompjuterëve të infektuar të vizitonin ueb faqet që dëshironin, ata dërgoheshin në ueb faqet që mashtruesit zgjidhnin.

Mënyra se si do të funksionojë paralajmërimi i Google-s është i thjeshtë: kur një ndër serverët zëvendësues  që është nën kontroll të ISC-së (Internet System Consortium) kontakton serverët e Google, atëherë këta të fundit përgjigjen me IP adresë specifike. Nëse kjo IP adresë vjen nga kompjuteri i infektuar, atëherë paralajmërimi do të shfaqet në rezultatet e kërkimit.

Infektimi me DNSChanger ishte rezultat i vizitave të shfrytëzuesve në ueb faqe të caktuara ose shkarkimit të programeve të caktuara për shikimin online të video materialeve.  Ky virus malinj ndërroi jo vetëm parametrat e DNS-it,  por edhe bëri të pamundur që antivirusi të integrohej.

Prej nëntorit të vitit të kaluar kanë nisur disa fushata për informimin e përdoruesve që kishin të infektuar kompjuterët e tyre, por këto nisma ishin të kufizuara për shkak se informimi nuk ishte i duhur ose nuk zbatohej në gjuhët amtare të përdoruesve. Momentalisht shkalla e dezinfektimit është në atë nivel, sa mund të ndodhë që në muajin korrik, mijëra përdorues të mos kenë mundësi veprimi në internet. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>