Lajmet

Google dhe Microsoft: Masa për bllokimin e materialeve lidhur me pornografinë e fëmijëve

Nov 19 2013
0 Shpërndarje
Google dhe Microsoft: Masa për bllokimin e materialeve lidhur me pornografinë e fëmijëve

google 1Google ka njoftuar se në tre muajt e fundit ka organizuar rreth 200 punonjës për zhvillimin e një teknologjie që bllokon ato rezultate kërkimi në Internet që lidhen me pornografinë e fëmijëve.

Kjo masë është ndërmarrë menjëherë pasi Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron i bëri kërkesë Google-it dhe gjigantëve të tjerë të internetit të eliminojnë fotot që gjenden on line lidhur me abuzimin e fëmijëve.

Shefi ekzekutiv i Google Eric Schmidt është shprehur për gazetën britanike Daily Mail se gjiganti i kërkimit ka përmirësuar algoritmat e vet për të filtruar më tepër se 100 000 fjali të ndryshme kërkimi që mund të lidhen me abuzimin seksual ndaj fëmijëve.

“Këto ndryshime do të aplikohen për më tepër se 150 gjuhë të ndryshme në mënyrë që impakti të jetë me të vërtetë global” – ka thënë Schmidt.

Daily mail thekson se Microsoft-i i cili operon me motorin e kërkimit Bing dhe ka ndikim mbi Yahoo se do të konfirmojë marrjen e masave të ngjashme gjatë një mbledhje mbi pornografinë në Internet.

Megjithatë, Schmidt paralajmëron se nuk ekziston ndonjë ndreqje teknike e shpejtë kur bëhet fjalë për dallimin e fotove që kanë përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve pasi algoritmi nuk mundet të diferencojë një foto të pafajshme të një fëmije duke u larë nga një foto që përfaqëson abuzim të pastër.

“Për këtë arsye duhet të ngarkohet gjithnjë një person me detyrën e rishikimit të fotove dhe në momentin e identifikimit të fotove të jashtëligjshme atyre do t’ju përcaktohet një shenjë unike dixhitale.

Kjo do të bëjë që ato imazhe të identifikohen sa herë të shfaqen në sistemet tona. Microsoft duhet vlerësuar shumë për zhvillimin dhe shpërndarjen e teknologjisë së identifikimit të fotove.” – u shpreh Schmidt.

Schmidt ka njoftuar gjithashtu se edhe inxhinierët e YouTube janë duke testuar një teknologjie të re që identifikon videot me përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve. Teknologjia do të mundësojë “etiketimin” e videove të jashtëligjshme në mënyrë që të gjitha kopjet e përsëritura të eliminohen.

Kjo teknologji pritet të jetë e disponueshme vitin tjetër për kompanitë e tjera të internetit dhe për organizatat në mbrojtje të fëmijëve.

Google do të fillojë gjithashtu shfaqjen e paralajmërimeve nga vetë kompania, por edhe nga organizatat e bamirësisë.

Ato do të pozicionohen në krye të rezultateve të kërkimit për më tepër se 13 000 fjali kërkimi dhe do të informojnë përdoruesit se abuzimi seksual ndaj fëmijëve është i jashtëligjshëm madje, do të japë këshilla se ku mund të kërkojnë ndihmë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>