Biznes

Google dominon në biznesin e kërkimit

Feb 17 2013
0 Shpërndarje
Google dominon në biznesin e kërkimit

Google po dominon në mënyrë të qëndrueshme tregun e kërkimit në internet ndërsa konkurentët e saj po lëvizin lart e poshtë. Në janar Google ka ecur pak më përpara duke u pozicionuar me 67 % të tregut të kërkimit krahasuar me 66.7% që zotëronte në dhjetor, tha comScore.

Microsoft Bing e rriti pjesën e tij të tregut me 0.2%, vetëm 0.1% më pak se rritja e Google. Gjithsesi, Bing qëndron shumë larg rivalit të tij, duke lëvizur nga 16.3% në 16.5% në të njëjtin interval kohor. Yahoo lojtari tjetër i rëndësishëm i tregut zbriti me 0.1% nga 12.2% në 12.1% të tregut, sipas comScore.

Rrjeti Ask me 2.8% të tregut, dhe AOL.Inc me 1.7% mbyllin listën e 5 të parëve në Janar. Bing i cili u lançua në qershor të 2009, ka qënë në gjendje të ruajë pjesën e tij në tregun e kërkimit, por nuk ka mundur të marrë asgjë nga tregu i Google.

Planet e Yahoo

Ndërkohë që Microsoft po punon të zotërojë pjesën e tregut dhe të mendjeve të njerëzve, CEO e Yahoo Marissa Mayer ka bërë të qartë se Yahoo kërkon të kthehet përsëri në lojë. Gjatë prezantimit të fitimeve të tremujorit të katërt, Mayer tha se Yahoo do të investojë kohë dhe para në një përpjekje për t’u rikthyer në biznesin e kërkimit online.

“Ka akoma shumë potencial në këtë treg”, tha Mayer. “Kërkimi është një pikë kyçe investimi për ne. Të gjitha inovacionet do të ndodhin në nivelin e ndërfaqes së përdoruesve. Ne duhet të investojmë në këto veçori për pajisjet desktop dhe për ato mobile. Të dy do të jenë elementë kyç të lojës për ne.”

Yahoo do ta ketë mjaft të vështirë për të marrë pjesë të tregut nga Google. Microsoft ka harxhuar mjaft investim në kohë, teknologji e para për Bing dhe nuk e ka prekur fare dominimin e Google. (PCWorld Albanian)

search engines

Lajmet e fundit>