Lajmet

Google Earth shton pamje 40 vjeçare të Tokës

Jul 24 2012
0 Shpërndarje
Google Earth shton pamje 40 vjeçare të Tokës

Google deklaroi të hënën se me rastin e 40 vjetorit të satelitëve Landsat të NASA-s që rrotullohen rreth Tokës për të mbledhur pamje të saj, do të publikojë imazhe të planetit për të gjithë njerëzit. 

Fotot e kapura nga satelitët Landsat, që sillen rreth orbitës çdo 16 ditë që prej korrikut të 1972, janë tashmë online në formë videosh ose thjeshtë imazhesh. Për të realizuar këtë, Google ka bashkëpunuar me U.S. Geological Survey (USGS) dhe Universitetin Carnegie Mellon.

“Përmes këtyre fotove mund të udhëtosh në kohë dhe të shohësh transformimin e planetit tonë – që nga pyjet e Amazonit, tek zhvillimi urban i Las Vegasit apo edhe ndryshimit të reshjeve të borës ndër vite.” – deklaroi Google përmes blogut të vet zyrtar.

Këto janë rekordet më të gjata që kanë regjistruar periodikisht sipërfaqen e Tokës. Satelitët fluturojnë nga poli në pol, duke kapur çdo centimetër të sipërfaqes dhe duke mbledhur të dhëna. Ky proces ripërsëritet pa pushim dhe i ndihmon shkencëtarët të vëzhgojnë ndryshimet e planetit si dhe të raportojnë mbi ‘shëndetin’ e tij.

Kompania beson se këto mund të jenë kornizat video më të mëdha që janë krijuar ndonjëherë në Ueb: “Nëse do e shihnit të gjithë videon me rezolucion të plotë, një kornizë e vetme do të ishte 1.78 terapikselë, që do të thotë se do të duheshin 18 fusha futbolli me ekrane kompjuterash të vendosur ngjitur me njëri-tjetrin.” (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>