Harduer

Google fillon bartjen e Nexus 7

Jul 15 2012
0 Shpërndarje
Google fillon bartjen e Nexus 7

Google lajmëroi gjatë ditës së premte që ka filluar bartjet e tabletëve Nexus 7 tek blerësit që kanë bërë para-porositë.

Google e paraqiti lajmërimin në një postim tërheqës dhe rimues në Google+, por fatkeqësisht, këto rima nuk mund t’i shkruajmë duke rimuar edhe në gjuhën shqipe: “I mbyllur dhe ngarkuar, gati për të luajtur: ne kemi filluar sot transportin e para-porositjeve të Nexus 7!”

Ndërmarrja së pari zbuloi në fund të muajit qershor tabletin Nexus 7 në Google I/O, së bashku me Nexus Q dhe Android Jelly Bean. Para-porositjet u hapën në atë kohë për të gjithë ata që dëshironin të merrnin një tablet për një çmim mjaft të arsyeshëm prej 200 dollarëve për tabletin e parë të ndërmarrjes Google.

Por ata që kanë ndjekur Google I/O mund të merrnin Nexus 7 më parë se të tjerët. Dhe pajisja, e dizajnuar nga Google dhe e prodhuar nga Asus, tashmë kishte marrë lëvdata për çmimin, cilësinë e ndërtimit dhe mundësitë medatike.

Megjithëse Nexus 7 drejtpërdrejt garon me Kindle Fire, që paraqet formën e prodhimit të njëjtë prej 7 inçësh, reporteri i Wired, Nathan Olivarez-GIles, gjeti që Nexus 7 tejkalon Kindle Fire në shumë nivele.

Sidoqoftë, sipas disa raporteve, Amazon tashmë ka plane që së shpejti të lëshojë një Kindle Fire të freskuar. Dhe nëse thashethemet janë të vërteta, Apple ka edhe një iPad prej 7 inçësh në funksion.

Do të jetë interesante të shihet se si shkon kjo hapësirë e vogël, e re e tabletëve. Për tani, Nexus 7 është një konkurrent kryesor dhe për një kohë të shkurtër mund të bëhet shumë i përdorshëm. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>