Lajmet

Google kritikon projektligjin e ri mbi të drejtat e autorit në Gjermani

Mar 3 2013
0 Shpërndarje
Google kritikon projektligjin e ri mbi të drejtat e autorit në Gjermani

google law Bundestagu gjerman ka aprovuar një projektligj të diskutueshëm mbi të drejtat e autorit në internet që u jep të drejtë botuesve t’i përdorin publikimet e tyre për përdorim komercial.

Projektligji synon t’i mbrojë botuesit ndaj aksesit të vazhdueshëm që u bëhet materialeve të tyre nga motorët e kërkimit si Google apo shërbime të tjera të lajmeve. Bundestagu që përfaqëson legjislaturën e dhomës së ulët në Gjermani, e miratoi projektligjin ditën e premte. Për t’u shndërruar në ligj, projektligji kërkon aprovimin e delegatëve qeveritarë në dhomën e lartë, Bundesrat. Projektligji tentonte fillimisht t’i ndalonte motorët e kërkimit nga riprodhimi që u bënin titujve kryesorë apo pjesëve të ndryshme të artikujve pa lejën e botuesve. Ai synonte t’i lejonte ata të ripublikonin pjesë artikujsh vetëm me miratimin e autorit ose duke i paguar botuesit.

Gjithsesi, projektligji u ndryshua më vonë, duke u bërë tashmë më pak i qartë mbi impaktin që do të sjellë nëse shndërrohet në ligj. Tashmë, projektligji parashikon se botuesit kanë të drejtën eksluzive për të komercializuar produktet e tyre, përveç rasteve kur bëhet fjalë për pjesë shumë të vogla teksti ose fjalë të veçanta.

Shoqata e botuesve gjermanë e ka mirëpritur projektligjin mbi të drejtat e autorit

Tabea Rößner, një nga përfaqësueset e Partisë së Gjelbër në Bundestag, shprehet se duke qenë se projektligji është i paqartë, ka shumë mundësi që Gjykatat të përballen me shumë çështje në të ardhmen lidhur me këtë problem. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë CSU, janë shprehur se projektligji është mëse i qartë dhe se nuk do të krijohen në masë çështje për gjykim në të ardhmen.

Edhe Google është treguar tepër kritike ndaj këtij projektligji. “Ligji nuk është as i nevojshëm dhe as i logjikshëm. Ai dëmton inovacionin, ekonominë dhe përdoruesit e internetit në Gjermani.”

googleNdërkohë, shoqata e botuesve gjermanë e ka mirëpritur projektligjin, duke e vlerësuar si një element të rëndësishëm në botën dixhitale. Ajo ka shpjeguar se motorët e kërkimit e marrin pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre falë reklamave online dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre vijnë drejtpërdrejt apo tërthorazi nga aksesi pa pagesë në lajme apo përmbajtje mediatike.

Fushata ‘Scroogled’ e Microsoft sulmon reklamat në Gmail

Ky projektligj do t’i lejojë botuesit të përcaktojnë kushtet nën të cilat motorët e kërkimit mund t’i përdorin materialet e tyre. Këto të fundit nuk do të kenë automatikisht të drejta të ripublikojnë materiale dhe do të varet nga botuesit se si do të marrin vendime biznesi për mënyrën se si mund të ripublikohet përmbajtja e tyre, veçanërisht në rastet kur ata dëshirojnë ta përdorin atë për qëllime komerciale. (PCWorld Albanian)

Tags >

Google
Lajmet e fundit>