Lajmet

Google Play fillon t’i marrë më seriozisht aplikacionet për tabletë

Nov 23 2013
0 Shpërndarje
Google Play fillon t’i marrë më seriozisht aplikacionet për tabletë

google-nexus-7Dyqani i aplikacioneve Google Play ka filluar që t’i marrë aplikacionet për tabletë me seriozitet më të madh.

I lajmëruar gjatë muajit të kaluar në blogun e zhvilluesve të Android-it dhe i vërejtur gjatë të premtes nga Android Police, dyqani i aplikacioneve Google Play është duke shfaqur tani vetëm aplikacionet e optimizuara në top listat e veta kur bëhet qasja nëpërmjet një tableti.

Aplikacionet që nuk janë të optimizuara do të marrin një etiketë “Dizajnuar për telefon”. Dyqani Google Play gjithmonë ka qenë prapa dyqanit të aplikacioneve për iOS sa i përket aplikacioneve për tabletë, kështu që kjo lëvizje mund të stimulojë zhvilluesit që të optimizojnë më tepër aplikacionet e tyre për tabletë.

Kur të shikohen top listat në një tablet me Android, aplikacionet e optimizuar për tablet do të shfaqen vetvetiu, por është ende një mundësi aty për të parë të gjitha aplikacionet në Play Store. Sidoqoftë, aplikacionet që nuk janë optimizuar për tabletë do ta kenë një etiketë “Dizajnuar për telefon” afër pjesës së sipërme të përshkrimit të tyre.

Të gjitha aplikacionet do të shfaqen kur të bëhet manualisht kërkimi për aplikacione. Për të marrë përparësinë e këtyre ndryshimeve, aplikacionet për tabletë duhet të përmbushin disa standarde të caktuara, si rezolucioni i ekranit dhe mbështetja e madhësisë së ekranit, mbështetja për API dhe pamjet e tabletëve në përshkrimin e aplikacionit.

Këto ndryshime do të ndihmojnë në adresimin e njërit prej problemeve më të mëdha të Play Store. Sipas një studimi nga Canalys gjatë gushtit të këtij viti, pothuajse gjysma e top aplikacioneve për iPad janë ose të paoptimizuara për tabletët me Android, ose nuk janë në dispozicion për ta.

Shumë aplikacione për Android që mund të punojnë në tabletë shpesh janë versione që janë zgjerime të versioneve për smartfonë që nuk marrin përparësinë e hapësirës shtesë të ekranit. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>