Lajmet

Google po përpiqet të sjellë platformën Android Wear dhe në iPhone

Apr 10 2015
0 Shpërndarje
Google po përpiqet të sjellë platformën Android Wear dhe në iPhone

DSC_7277Kompania Google është duke punuar për të bërë të mundur që platforma Android Wear, të cilën ajo përdor në orët inteligjente Android, të mund të përdoret dhe në një iPhone. Burimet të afërta me skuadrën që po merret me këtë zhvillim kanë deklaruar se procesi është në përfundim dhe tani ka mbetur vetëm përcaktimi i detajeve të fundit teknike. Nëse Google me të vërtetë do të lancojë një platform të tillë dhe Apple do ta lejojë atë, kjo gjë do të vërë orët inteligjente Android Wear përballë një konkurenti të fortë sic pritet të jetë Apple Watch.

Në këtë stad zhvillimi mësohet se Android Wear funksionon përmes një aplikacioni shoqërues në iPhone dhe ofron mbështetje për funksionet bazë si njoftimet. Ashtu si dhe në Android dhe Android Wear në një iPhone do ti japë mundësi përdoruesve të aksesojnë Google Now ku mund të gjejnë informacion mbi kartat, mund të kryejnë kërkim zanor apo të japin komanda përmes zërit. Përmes këtij aplikacioni, parashikohet që përdoruesit dhe të kenë mundësi të aksesojnë llogarinë e tyre në Gmail dhe të kthejnë emaile.

Por përtej kësaj, mbeten shumë pyetje pa përgjigje. Kompania Pebble e cili ka ndërtuar një orë inteligjente që punon si me pajisjet iOS dhe ato Android, ka arritur të ofrojë opsione si muzika në aplikacionin shoqërues në iPhone. Ndaj ka shumë mundësi që dhe platforma Android Wear e Google të ofrojë të njëjtën gjë në iPhone. Ndërkohë disa zhvillues të palëve të treta kanë gjetur një zgjidhje që bën të mundur funksionimin e Android Wear në iOS. Një zhvillues tjetër ka gjetur një pjesë kodi të lidhur me iOS në versionin 4.4 të Android, kjo provon se Google ka filluar përpjekjet e saj për të sjellë Android Wear në iPhone që vitin e shkuar. Në muajin tetor, manaxheri i produktit të Android Wear, Jeff Chang nuk e përjashtoi mundësinë që Google është duke punuar me dicka të tillë. Chang deklaroi për The Huffington Post se qëllimi i tyre është që të bëhen sa më shumë përdorues pjesë e eksperiencës që ata ofrojnë ndaj nuk ka arsye që dicka e tillë mos të ndodhë.

Pikëpyetja kryesore qëndron në faktin se a do ta miratojë Apple një aplikacion të tillë shoqërues për Android Wear. Logjike do të ishte që Apple mos ta pranonte këtë gjë duke qënë se është në prag të lancimit të Apple Watch. Google dhe Apple nuk është hera e parë që janë pjesë e cështjeve që kanë të bëjnë me aprovimin e aplikacioneve në platformat e njera tjetrës. Por në vitin 2010 u përhap lajmi se Apple do ti refuzonte të gjitha aplikacionet që janë pjesë e platformave kundërshtuese. Apple nuk pranoi të komentonte mbi këtë cështje. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>