Lajmet

Google po planifikon të përqëndrohet në kërkimin me zë gjatë vitit 2014

Dec 17 2013
0 Shpërndarje
Google po planifikon të përqëndrohet në kërkimin me zë gjatë vitit 2014

Kur vjen puna tek kërkimi, Google është ndër kompanitë që investojnë më fuqimisht në të, veçanërisht në fushën e kërkimit me zë.

Fokusimi në këtë aspekt do të jetë prioritar për kompaninë gjatë vitit të ardhshëm, teksa përpiqet të sjellë kërkimin me zë në aplikacionin mobile për iOS, pasi ka bërë të njëjtën gjë fillimisht për Android-in. Konfirmimi vjen nga një prej zëdhënëseve të kompanisë, Krisztina Radosavljevic-Szilagyi.

“Jemi shumë afër lançimit të të njëjtit opsion si në Android,” tha ajo në një intervistë për ComputerWorld. “Ndërkohë në Android do të përmirësojmë kërkimin në përgjithësi. Duam që përdoruesit të kenë mundësi t’i përdorin njësoj aplikacionet në të dyja platformat.”

Ajo shtoi se kompania po investon shumë në këtë fushë duke qenë se kërkimi me zë është një mënyrë më e volitshme për kërkim për përdoruesit.

Sidomos për përdoruesit mobile, të cilët duan ta përdorin telefonin teksa janë duke ecur në rrugë apo duke mbajtur një çadër në dorë. “Duhet të keni mundësi të vazhdoni veprimtaritë tuaja dhe njëkohësisht të jeni në gjendje t’i thoni një fjali pajisjes suaj për të marrë një përgjigje. Përdorimi i teknologjisë në ditët e sotme bëhet edhe më i thjeshtë dhe më i shpejtë përmes zërit,” shtoi ajo.

Por me çfarë do të merret konkretisht Google? Së pari, duhet që kërkimi të bëhet më i saktë dhe në formë bisede. Po ashtu, duhet të bëhet edhe më tepër kontekstual.

Për shembull, nëse një përdorues pyet se sa larg është Durrësi dhe më pas pyet se si është moti atje, atëherë kompjuteri duhet të jetë në gjendje ta kuptojë se bëhet fjalë ende për Durrësin. Me pak fjalë, ndërveprimi mes përdoruesit dhe kompjuterit duhet të bëhet më i natyrshëm.

Një aspekt tjetër që kërkon shumë punë është eliminimi i zhurmave që vijnë nga ambienti për të marrë ekzaktësisht fjalët e kërkimit të përdoruesit. Kërkimi me zë që shohim shpesh nëpër filma është ende larg por të paktën mund të arrijmë disa rezultate të mira në terma afatmesëm. (PCWorld Albanian)

voicesearch-gsa_article_full

Tags >

Google
Lajmet e fundit>