Harduer

Google prezanton smartfonin Nexus 5 dhe sistemin operativ Android Kit Kat

Nov 1 2013
0 Shpërndarje
Google prezanton smartfonin Nexus 5 dhe sistemin operativ Android Kit Kat

Google prezantoi ditën e enjte në një event në San Françisko, smartfonin e ri Nexus 5 të pajisur me versionin e ri të sistemit operativ Android 4.4 Kit Kat.

Smartfoni me ekran 5 inç do të ofrohet për shitje në versionet 16 GB dhe 32 GB memorie të brendëshme. Çmimet e tyre janë përkatësisht 349 $ dhe 399 $.

Modelet do të jenë të disponueshëm në ngjyrë të bardhë dhe të zezë. Pajisja ka një procesor Snapdragon 800 dhe klasifikohet si e hollë dhe e lehtë duke qenë se ka një trashësi prej 0.84 cm dhe peshon rreth 130 gr.

Inovacioni më i rëndësishëm i Nexus 5 qëndron tek lentet e kamerës të cilat lëvizin brenda smartfonit në mënyrë të tillë që të kompensojnë lëvizjen e dorës së përdoruesit.

Tashmë përdoruesit nuk duhet të shqetësohen më në qoftë se duart e tyre dridhen gjatë shkrepjes pasi një opsion i ri HDR + përzgjedh foton më të mirë nga grupi i fotove të shkrepura.

Megjithatë kompania gjatë eventit është përqendruar më tepër tek sistemi i ri operativ. KitKat është dizajnuar të funksionojë në të gjitha pajisjet Android veçanërisht në tregjet në zhvillim. Sipas Google, pajisjet e tjera Nexus do të pajisen me këtë version të përditësuar të sistemit në javët e ardhshme.

Aplikacionet e këtij sistemi janë përditësuar në mënyrë të tillë që të përdorin sa më pak energji që të jetë e mundshme. Këtu mund të përmendim shfletuesin Chrome i cili po ta krahasosh me paraardhësit e tij, përdor 16% më pak energji në versionin Kit Kat.

Google ka përmirësuar gjithashtu softuerin e identifikimit të zërit, i cili tashmë mund të aksesohet nga çdo faqe e ekranit duke thënë “OK Google”. Ndërkohë në çdo faqe të ekranit do të shfaqet edhe fusha e kërkimit të Google, por me një dizajn të tejdukshëm.

Rezultatet e kërkimit do të përfshijnë opsionin e kthimit direkt tek aplikacionet. Për shembull në qoftë se përdoruesi kërkon për një restorant të caktuar në Google atëherë në rezultatet e kërkimit do të shfaqet dhe opsioni i hapjes direkt të aplikacionit për rezervimin e një tavoline (Open Table reservation).

Google Now, shërbimi i kërkimit i cili identifikon edhe vendndodhjen, do të ofrojë më tepër rezultate bazuar në kërkimet e njerëzve afër jush. Aplikacioni do të ofrojë numrat e kontaktit të bizneseve që keni më pranë, ndërsa Google Cloud Print do të ofrojë më tepër opsione për të printuar direkt nga smartfonët Android. (PCWorld Albanian)

New_Nexus

Lajmet e fundit>