Lajmet

Google rregullon kërkimin e fotove për të shmangur rezultatet pornografike

Dec 14 2012
0 Shpërndarje
Google rregullon kërkimin e fotove për të shmangur rezultatet pornografike

Google ka ndryshuar mënyrën se si i menaxhon kërkimet e fotove, me qëllim që fotot pornografikë të jenë më pak të pranishme për ata që nuk janë duke i kërkuar.

Duke nisur nga e mërkura, kërkimet e bëra nëpërmjet motorit kërkues të kësaj kompanie do të rezultojnë me rezultate më konservative në rast termash të dykuptimshëm, që në raste të tjera do të kishin sjellë në ekran shfaqjen e fotove pornografike.

“Kemi thjeshtuar konfigurimin e SafeSearch në kërkimet e fotove dhe konfigurimi i ri vepron si opsioni që ka qenë më parë për shumicën e përdoruesve (“moderate”)”,- ka thënë Google në një deklaratë të shkurtër.

Pra, përdoruesit që janë në kërkim të pornografisë, duhet të jenë më të qartë në kërkimin e tyre.

“Ne duam t’u tregojmë përdoruesve pikërisht atë që kërkojnë, por nuk duam të tregojmë foto me përmbajtje seksuale nëse një kërkues nuk është duke kërkuar pikërisht për to. Ne përdorim algoritme për rezultatet më relevante në një kërkim të caktuar. Nëse dikush është në kërkim të përmbajtjes seksuale, mund ta gjejë atë pa ndryshuar konfigurimin, vetëm duhet të jetë më i qartë në kërkimin e tij dhe të mos përdorë terma me dy kuptime. Kërkimi i fotove funksionon po ashtu si kërkimi në ueb dhe ai i videove.”

Ky ndryshim funksionon kur SafeSearch është në pozicionin e paracaktuar. Kur aktivizohet, Google do të tentojë të bllokojë përmbajtjen pornografike edhe në rast të kërkimeve me terma të qartë pornografikë.

Kompania thotë se aktivizimi tani i këtij ndryshimi nuk lidhej me ndonjë ngjarje të caktuar. SafeSearch ka vite që është në dispozicion në kërkimin për foto, ueb dhe video të Google. (PCWorld Albanian)

Tags >

Google
Lajmet e fundit>