Softuer

Google sërish sfidon Facebook’un… kësaj radhe me Google+

Jun 28 2011
0 Shpërndarje
Google sërish sfidon Facebook’un… kësaj radhe me Google+

Google ka shkaktuar mjaft turbulencë në botën e rrjeteve sociale gjatë ditës së sotme kur shpalosi projektin e saj “Top-Sekret” Google+, që është një shërbim i ri që esencialisht kthen komplet Google’in në një rrjet gjigant social. 

Gjersa Facebook me 700 milion përdoruesit e saj, është një rrjet social mjaft i madh dhe që mundëson të lidheni me miq duke shtypur butonin për të pranuar një kërkesë miqësie, Google+ synon që të ridefinojë mënyrën sesi njerëzit lidhen online, duke iu mundësuar atyre të krijojnë një lloj-llojshmëri të grupeve më të vogla të quajtura “Cirlces” (po më kujtohet në këto qaste ideja e grupit “The Pitchers” në Startup Live Casting Pristina…), të cilat lejojnë njerëzit të shkëmbejnë informacione dhe përmbajtje vetëm me miqtë apo kolegët që zgjedhin.

“Ne besojmë se shkëmbimi online është shkatërruar. Dhe madje është bërë edhe i çuditshëm” tha një përfaqësues i Google për TechCrunch. “Ne mendojmë se lidhja është një nevojë bazike njerëzore. Ne e bëjmë këtë gjë në jetën e përditshme, por veglat tona online janë rigide. Ato na detyrojnë neve të futemi në shporta – apo të bëhemi tërësisht publik” u shpreh Vic Gundotra, president i Social for Google. 

Sikurse Facebook News Feed, edhe Google+ ju ofron përdoruesve një panel ku paraqiten një sërë përditësimesh prej miqve të tyre. Materiale të shkëmbyera, komente, fotografi e gjëra të tjera janë të ndara në “transmetime”, dhe secila është e grupuar në rrathë të caktuar të miqve. 

Google+ mund të kontrollohet përmes një shiriti të ri të ridizajnuarm që do të paraqitet në maje të secilës faqe që është produkt i Google. Përmes kësaj përdoruesit e Google+ mund të qasen në profilet e tyre, të kontrollojnë lajmërimet dhe të shkëmbejnë në përmbajtjen në rrathë të ndryshëm. 

Një veçori tjetër pranë Google+ është edhe funksionaliteti mobil. Google+ mobile app momentalisht është në ofertë përmes Android Market dhe së shpejti do të paraqitet edhe në Apple App Store. 

Sa për informacion shërbimi është ende në “testim fushor”, dhe vetëm disa njerëz fatlum do të mund të qasen në të gjatë kësaj kohe. Por kompania ka bërë të ditur se shumë shpejtë produkti do të jetë publik. Le të shpresojmë se do të shohim diçka më të mirë se Google Buzz apo Orkut… /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>