Lajmet

Google timelapse project: Ja se si ka ndryshuar bota në 30 vitet e fundit

May 11 2013
0 Shpërndarje
Google timelapse project: Ja se si ka ndryshuar bota në 30 vitet e fundit

Bota që na rrethon ndryshon çdo sekondë, një fakt ky që ndoshta shumica prej nesh e vërejmë kohë pas kohe.

Diçka që nuk mund ta shohim çdo ditë është se si ndryshon gjeografia e planetit tonë. Për këtë na ndihmon teknologjia dhe Google.

Përmes Google timelapse project të gjithë të pasionuarit pas gjeografisë kanë mundësi të shohin përmes imazheve satelitore si ka ndryshuar Toka në zona të ndryshme të saj gjatë 30 viteve të fundit.

Për shembull, në të mund të shihet zgjerimi i bregut të Dubait, zhvillimet që kanë ndodhur atje në det, procesi i furnizimit me ujë apo vaditjes në Arabinë Saudite, tharjen e liqenit Urmia në Iran, tërheqjen e akullnajës Columbia, rritjen urbane në Las Vegas, procesin e dëmtimit të pyjeve në Amazonin e Brazilit etj.

Të gjitha këto janë dëshmi se si e ka ndryshuar njeriu botën dhe të gjitha mund të shihen në uebfaqen e Google Timelapse. Të ashtuquajturat “timelapses” janë krijuar nga miliona imazhe të mbledhura nga satelitët Landsat që prej viteve 1970, në kuadër të një misioni të përbashkët mes U.S. Geological Survey dhe NASA-s. Google filloi përpunimin e imazheve në vitin 2009.

Puna për përpunimin e tyre nuk ishte e lehtë. Fillimisht, ato duhet të dixhitalizoheshin, pasi një pjesë e madhe ishin të regjistruara në kaseta. Më pas duhej përdorur teknologjia e Google Earth Engine për të gjetur imazhet më të mira të çdo viti në çdo pjesë të Tokës që prej vitit 1984.

Retë, tymi apo elemente të tjera duheshin hequr në mënyrë dixhitale. Së fundmi, imazhet duheshin kompiluar në trajtën e imazheve planetare për çdo vit, ku secila prej tyre ishte rreth 1.78 terapixels. Duke përdorur teknologjitë e tjera të Google, imazhet u bashkuan në formën e një “videoje” apo imazhi të animuar për t’u publikuar më pas në ueb. (PCWorld Albanian)

google timelapse

Tags >

Google
Lajmet e fundit>