Lajmet

Google Wallet mundëson dërgimin e parave përmes Gmail-it

May 18 2013
0 Shpërndarje
Google Wallet mundëson dërgimin e parave përmes Gmail-it

Google ka filluar të integrojë Gmail-in me Google Wallet, në mënyrë që përdoruesit të kenë mundësi të dërgojnë pagesa përmes attachments në e-mail, edhe në rastet kur marrësi nuk ka adresë Gmail-i.

Çfarë do të thotë kjo? Për të dërguar para përmes Gmail-it, përdoruesi duhet të krijojë një e-mail të ri, të vendosë mouse-n sipër ikonës së attachment, të klikojë më pas simbolin e dollarit ($) për të bashkangjitur një shumë parash në mesazh (duke shkruar njëkohësisht shumën) dhe ta dërgojë e-mailin. Marrësi do të marrë një konfirmim se paratë janë dërguar menjëherë.

Shërbimi është pa pagesë nëse llogaria bankare e përdoruesit është e lidhur me Google Wallet. Po ashtu, mund të përdoren edhe para nga llogaria e Google Wallet. Pagesat mund të bëhen gjithashtu përmes një karte krediti/debiti të lidhur me llogarinë me një komision prej 2.9% për transaksion (minimumi 30 cent).

Përdoruesit duhet të jenë kyçur fillimisht apo të kenë një llogari Google Wallet për të dërguar apo marrë para përmes Gmail-it. Edhe pse nuk është e nevojshme pasja e një llogarie në Gmail, marrësit do t’i kërkohet të kyçet apo të hapë një llogari Google Wallet për të pranuar paratë. Për momentin dërgimi i parave brenda Gmail-it është i disponueshëm vetëm brenda SHBA-së dhe mund të përdoret vetëm nga shtetasit mbi 18 vjeç.

Marrja e parave bëhet pa ndonjë pagesë shtesë. Pasi ato merren, mund të depozitohen në një llogari bankare apo të përdoren në vendet ku pranohet Google Wallet.

Dërgimi i parave përmes Gmail-it është i mundshëm vetëm në versionin desktop të tij. (PCWorld Albanian)

Google Wallet

Tags >

Google
Lajmet e fundit>