Lajmet

Google+ zgjerohet me një seksion për komunitetet

Dec 10 2012
0 Shpërndarje
Google+ zgjerohet me një seksion për komunitetet

Google ka shtuar një seksion të ri për komunitetet në rrjetin e vet social Google+. Ai është një mjet që bashkon njerëzit me interesa të përbashkëta.

Komunitetet e Google+ i lejojnë përdoruesit të krijojnë apo t’iu bashkohen grupeve publike dhe private, të shtojnë diskutime, të planifikojnë evente, të realizojnë Hangout video chats si dhe të postojnë linqe përmes butonave +1 në uebfaqe të jashtme.

Seksioni i komuniteteve do të fillojë të jetë i disponueshëm për përdoruesit duke filluar nga e enjtja në preview mode. Për pajisjet mobile do të jetë i disponueshëm më vonë.

Kompania ka theksuar gjithashtu se ka zgjeruar aplikacionin mobile për editim dhe shpërndarje fotosh Snapseed, që ka blerë para pak kohësh.

Ai do të lançohet fillimisht si një version Android, ndërsa versioni për iOS do të jetë thjesht një upgrade i aplikacionit tashmë ekzistues.

Snapseed, konkurrenti i Instagram-it të Facebook-ut, është i integruar me Google+ për të thjeshtësuar procesin e të postuarit të fotove në faqe. Google e ofron tashmë si një aplikacion pa pagesë ndërsa më parë kushtonte 4.99 $.

Komunitetet Google+ dhe përmirësimet e Snapseed synojnë t’i ndihmojnë përdoruesit duke u sjellë atyre “ngjyrat dhe aktivitetet e jetës reale përmes shpërndarjes së tyre online”,- shkroi Vic Gundotra, një nga zëvendës presidentët e Google.

Ai shkroi në blog edhe mbi numrin e përdoruesve të Google+ duke theksuar se tashmë mbi 500 milionë njerëz kanë hapur një profil, prej së cilëve 235 milionë janë aktivë në Google, që do të thotë se po përdorin funksionalitetet e Google+ si video chat Hangouts apo shpërndarjet e linqeve përmes butonave +1. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>