Harduer

Google zyrtarizon Android Wear 2.0 së bashku me orët e reja LG Watch Style dhe Sport

Feb 8 2017
0 Shpërndarje
Më në fund! Android Wear 2.0 së bashku me dy orë inteligjente kanë mbërritur. Të përfolur prej muajsh, sot mësuam se orët janë një bashkëpunim i Google dhe LG, një zhgënjim për ata që po prisnin një orë "Pixel." Google zyrtarizon Android Wear 2.0 së bashku me orët e reja LG Watch Style dhe Sport Photo Source: Google/LG

Orët e reja të cilat mund të porositen nga dita e nesërme, janë prodhuar nga LG. Kutia e paketimit shkruan “dizenjuar me miqtë tanë në Google,” po logoja e këtij të fundit nuk është askund.

Të mëdhenj dhe të trashë

Konsumatorët do të kenë luksin e përzgjedhjes së modeleve, Sport dhe Style. Modeli më i madh ka ekran 1.38 inç P-OLED me rezolucion 480×480 dhe densitet pikselash prej 348ppi. Sakaq modeli më i vogël ka ekran 1.2 inç P-OLED me rezolucion 360×360 piksel dhe densistet pikselash prej 299ppi.

Të dy orët kanë procesor Snapdragon Wear 2100 me frekuencë 1.1 Ghz dhe 4GB memorje të brendshme. Gjithashtu kanë Wi-Fi, Bluetooth, akselerometër, giroskop por modeli Sport është më i avancuar në kontektivitet të cilit nuk i mungojnë GPS, LTE, NFC dhe një sensor i matjes së rrahjeve të zemrës.

E thënë ndryshe modeli Style nuk mund tu bëjë dobi shumë pa një telefon afër. Modeli Sport është 14.2 mm i trashë dhe ka bateri 430 mAh përkundër 240 mAh që ka modeli Style. Sport gjithashtu ka 768MB RAM ndaj 512MB të Style dhe IP68 krahas IP67 të Style.

Orët janë të disponueshme në dy ngjyra respektivisht, të argjendtë dhe rozë të artë për modelin Style dhe blu dhe blu errët për modelin Sport. Style do tu kushtojë 250 dollar ndërsa Sport 350 dollar.

Android Wear 2.0

Ky version përfaqëson një përditësim madhor të platformës Android për orët inteligjente. Sjell përmirësime të ndërfaqes dhe navigimit dhe veçanërisht asistentin virtual të Google.

Dy orët e lartpërmendura janë të parat me këtë version të sistemit operativ por do të jetë i disponueshëm edhe për orët: Asus ZenWatch 2 & 3, Huawei Watch, LG Watch R dhe Urbane, Moto 360 e shumë të tjera.

Në mesin e përmirësimeve janë fytyrat e reja të pajisura me integrimin e aplikacioneve nga palë të treta si dhe një gjurmues të ri fitnesi.

Madje Wear 2.0 sjell një dyqan aplikacione Play Store ku mund të instaloni disa aplikacione pa qenë nevoja të merrni telefonin në dorë.

Tani përdoruesit mund të kthejnë përgjigje mesazheve nga ora me tekst dhe emoji. Asistenti virtual do të jetë i disponueshëm për përdoruesit në SHBA, Angli dhe Gjermani. Google ka premtuar zgjerimin e kësaj disponueshmërie në më shumë gjuhë. Google Asistant aktivizohet thjesht duke thënë “OK Google.”

Së fundit Wear 2.0 sjell mbështetje për Android Pay. Falë integrimit të NFC-së, përdoruesit mund të kryejnë pagesa duke mbajtur orën inteligjente afër një terminali kartash krediti. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>