Analiza

Google ofron shërbim për thirrje në celularë përmes Gmail

Aug 26 2010
0 Shpërndarje
Google ofron shërbim për thirrje në celularë përmes Gmail

Duket se kënaqësia që po dominonte shumicën e botës nuk i mjaftoi dhe Google e pa të arsyeshme të vazhdojë dhe të zgjerohet në çdo fushë të mundshme që një njeri mund të përdor për të përfituar apo transmetuar informata. Google ka një qëndrim të fuqishëm në tregun e e-mail, motori kërkues është faqja numër një në botë, Google TV është rrugës për tu paraqitur dhe tani Google ia ka vënë syrin telefonisë së internetit që momentalisht dominohet nga Skype.

Nëse keni një e-mail llogari me Gmail, ju mund të keni vërejtur një buton të ri “call” në skajin e majtë të ekranit tuaj, që renditet në funksionin chat të këtij shërbimi. Baneri që shfaqet menjëherë pas shtypjes së këtij butoni tregon për “Thirrje pa pagesë drejt SHBA-së dhe Kanadasë në vitin 2010” dhe “taksa shumë të ulëta për thirrje ndërkombëtare”. Me fjalë të tjera, Google dëshiron që njerëzit ta dinë se tani janë lojtarë në fushën VoIP, dhe ata dëshirojnë të bëjnë biznes.

Në momentin që ju instaloni programin që i duhet për të funksionuar, shërbimet për thirrje me zë dhe thirrje me video ofrohen menjëherë për ju. Taksat janë të lira dhe sipas Business Insider, janë në më të lira se ato të Skype në shumë shtete. Për të përdorur këtë shërbim të Google ju natyrisht duhet të keni llogari në Gmail, të instaloni programin dhe më pas të zgjidhni shtetin që dëshironi të thirrni. Për të thirrur numra të operatorit Vala në Kosovë zgjidhni si shtet hyrjen e Monakos sepse Kosova nuk është e pranishme në listë, por hyrja e Monakos +377 kryen punë dhe më pas shtoni vetëm numrin së bashku me hyrje të operatorit Vala. Shembull +37744*******. Ne e testuam këtë shërbim dhe vërtetë funksionon pasi që telefoni që thërret cingëron, por në momentin që e hap për të biseduar shkëputet linja, dhe përveç kësaj për tu futur në linjë i duhen më shumë se 30 sekonda(ndoshta thirrja dështon edhe për shkak të kreditit të pamjaftueshëm por një pralajmërim i tillë nuk ofrohet). Për operatorin IPKO, vlen shteti i Sllovenisë, me hyrjen +386 dhe më pas me pjesën 049 të këtij operatori. Për shembull +38649******. Ne e provuam në test edhe me numër të këtij operatori por lidhja dështoi menjëherë dhe nuk funksioni. (www.pcworld.al)

Ju në kredit keni 0.10 dollarë, kurse thirrjet drejt Monakos (VALA)do t’ju kushtojnë 0.29 dollarë për minutë, ndërsa ato drejt Sllovenisë (IPKO) 0.37 dollarë për minutë. Thirrjet drejt operatorëve të Shqipërisë (+355) do t’ju tariforen me 0.12 dollarë për minutë. Kreditin tuaj ju mund ta mbushni online përmes kartelave kreditore.

Mirëpo duhet theksuar se shërbimi në Kosovë është ende larg funksionimit ashtu si duhet, kështu që ju sugjerojmë të mos bëni ndonjë investim në këtë aspekt.

Në fund të fundit për ata që jetojnë jashtë Kosovës dhe lexojnë këtë artikull të PCWorld Albanian, ju sugjerojmë të kenë një mikrofon para se të fillojnë me përdorimin e këtij shërbimi. Nëse keni probleme ju mund të shihni edhe një video që ka paraqitur Google. /pcworld.al

Lajmet e fundit>