Softuer

Google shuan projektin Wave

Aug 5 2010
0 Shpërndarje
Google shuan projektin Wave

“Wave nuk ka përjetuar adoptimin nga përdoruesit ashtu siç kemi pritur” shkroi Urs Holzle, zëvendës president i lartë i operacioneve të Google, në një postim në blogun zyrtar të kompanisë. “Ne nuk planifikojmë të zhvillojmë Wave si një produkt në vete, por do të mirëmbajmë produktin së paku deri në fund të vitit, ndërsa do të zgjerojmë teknologjinë për përdorim në projekte tjera të Google”.

Google Wave u lansua në maj të vitit që shkoi në konferencën vjetore I/O të zhvilluesve të Google, dhe ajo në vete përmbante një grumbull të veglave të komunikimeve si e-mail, mesazhe të çastit, wiki bashkëpunim, publikime në blog e kështu me radhë, dhe që të gjitha u vendosen në një vend për të krijuar një sistem të ri të mesazheve. Një bisedë grupore u quajt një “wave” (valë), dhe pjesëmarrësit e saj ishin në gjendje të fusin video, harta, imazhe dhe elemente tjera multimediale në diskutimin e tyre. Bisedat mund të ndodhnin në kohë reale apo përmes përgjigjeve të mëvonshme.

Google Wave ishte krijuar nga dy vëllezër danez, Jens dhe Lars Rasmussen, të cilët ishin energjia prapa një projekti edhe më të suksesshëm siç është Google Maps. Në një intervistë për CNN në vitin 2009 ata theksuan se caku nuk është vetëm për të krijuar një produkt të jashtëzakonshëm për ndryshuar mënyrën e komunikimit online por për të vërtetuar se inovacionet janë ende të mundshme në një kompani masive si Google.

Por projekti i tyre duket se të mërkurën mori vendimin përfundimtar negativ, megjithëse në vete Google Wave u mësoi shumëçka të gjithëve. “Wave na ka mësuar shumë, dhe ne jemi të lumtur që kemi qenë pjesë e asaj sesi janë shtyrë kufijtë e shkencës kompjuterike” u tha në postimin në blogun e Google.  “Jemi entuziastë të shohim se çfarë do të zhvillojnë në të ardhmen, sepse ne vazhdojmë të krijojmë inovacione në mënyrë që të avancojmë teknologjinë dhe të zgjerojmë uebin”.

Ndoshta herën tjetër, do ta përdorin më shumë njerëz,sepse siç u deklaruan edhe në fillim të projektit inxhinierët e Google, përdoruesit e internetit nuk arrin të kuptojnë mënyrën e shfrytëzimit të këtij produkti më ndryshe të komunikimit, dhe shumica thanë se shërbimi është tepër i komplikuar dhe konfuz.

Lajmet e fundit>