Analiza

Guidë në blerje: Çfarë të kërkoni në një aparat dixhital

Mar 25 2010
0 Shpërndarje
Guidë në blerje: Çfarë të kërkoni në një aparat dixhital

Numri i megapikselëve / rezolucioni
Nëse fotot tuaja janë kryesisht për t’u lidhur si shtojcë në e-maile apo për printime normale, pak a shumë çdo rezolucion bën për ju. Edhe në këtë rast, një model me më shumë pikselë ju jep fleksibilitet më të madh: mund të printoni imazhe më të mprehta me dimensione më të mëdha apo të prisni dhe të printoni seksione të veçanta të një fotografie. Pjesa më e madhe e aparateve sot ofrojnë të paktën 8 megapikselë – të mjaftueshëm për një printim 30 me 35cm. Një aparat 10 megapikselë mund të japë printime 33 me 48 cm, megjithëse mund të humbasin pak detaje. Imazhet e një aparati 13 megapikselë ngjajnë mirë në 33 me 48 cm dhe mund të zmadhohen deri në 40 me 60 cm. Shumë aparate dixhitale single-lens reflex (SLR) i kalojnë 13 megapikselët.

Por jo të gjithë megapikselët janë njësoj: aparatet me sensorë dhe lente më të mëdha bëjnë foto më të mira, pavarësisht nga numri i megapikselëve.

Lentja e zoom-it optik: Në aparatet e lira, një me zoom më të madh optik është më mirë se një me më shumë megapikselë: me të nuk do keni nevojë të zmadhoni subjektin dhe më pas të përdorni programin për ta prerë (duke humbur kështu një pjesë të rezolucionit). Një tjetër tipar i një point-and-shot-i për të pasur parasysh nëse jeni një fotografues peizazhesh, është një lente me kënd të gjerë (zakonisht 30 mm apo më pak për këndin e gjerë.
Mos ngatërroni zoom-in dixhital (i cili thjesht i zmadhon pikselët e marrë) me zoom-in optik, i cili e lëviz lenten për të zmadhuar subjektin. Zoom-i optik ruan rezolucionin e plotë maksimal të aparatit, ndërkohë që ju fokuson në një veprim të largët.
Me SLR-të dixhitale mund të blini çfarëdo lente që dëshironi. Për të përcaktuar gjatësinë fokale efektive të një lenteje, shumëzoni gjatësinë nominale të saj me madhësinë e sensorit të aparatit.
Bateritë: Aparatet mund të përdorin bateri të thjeshta alkaline AA (4 copë për $5), nikel metal hidride AA të rikarikueshme (NiMH), rreth $14 për katër copë, bateri AA më jetëgjata litiumi (katër copë për $10), bateri të çmontueshme me kapacitet të lartë CRV3 (rreth $10 për një të tillë) apo bateri të veçanta të rikarikueshme (nga $25 në $65 për t’u ndërruar).

Filmat dhe tingulli: Shumë fotokamera dixhitale mund të bëjnë foto dhe të filmojnë fragmente të shkurtra video. Edhe SLR-të dixhitale tani mund të regjistrojnë video – në definicion të lartë. Pjesa më e madhe e point-and-shoteve regjistrojnë video në 640 me 480, por video HD po bëhet gjithmonë më e zakonshme.

Opsionet e ekspozimit: Të gjitha kamerat dixhitale ju lejojnë të shkrepni në një opsion tërësisht automatik. Pjesa më e madhe e tyre gjithashtu ofrojnë opsione të hapjes dhe të prioritetit të shkrepjes, pra mund të zgjidhni se sa e madhe do të jetë hapja e lentes dhe sa gjatë shkrepësi do qëndrojë hapur, kurse të gjitha opsionet e tjera kontrollohen automatikisht.

Fotografët përdorin prioritetin e hapjes për të kontrolluar thellësinë e fushës së një imazhi – thënë më thjesht, për të turbulluar sfondin e një fotoje ndërkohë që subjekti mbetet i qartë. Opsioni i prioritetit të shkrepësit ndihmon në kapjen e subjekteve që lëvizin shpejt. Një aparat i vendosur plotësisht në automatik do tentojë të mbajë në fokus si subjektin ashtu dhe sfondin, duke shkaktuar turbullim në rastin e një subjekti në lëvizje.
Pjesa më e madhe e aparateve që ofrojnë opsione prioriteti gjithashtu lejojnë kontroll të plotë manual të ekspozimit, në të cilin mund të zgjidhni vlera për të dyja ndryshoret.

Opsionet e skenave: Shumë aparate tentojnë të tërheqin blerësin kërkues me një numër të madh formash për skena të ndryshme, si Plazh, Fishekzjarrë apo Nën Ujë. Disa aparate ju lejojnë të vendosni  një skenë të paracaktuar – apo një të personalizuar – në një vend të caktuar në meny, për ta pasur më të lehtë. Disa SLR dixhitale vënë mënjanë disa vende në butonat e tyre për të ruajtur opsione të modifikuara; shumë prej tyre kanë dhe opsione skenash. Disa aparate point-and-shot ju lejojnë të ruani vendosjet e personalizuara si një opsion i veçantë në menynë e formave të skenës.

Detektimi i fytyrës: Pothuajse të gjitha point-and-shot-et e reja ofrojnë opsionin e detektimit të fytyrës, që tenton të përmirësojë si fokusin ashtu dhe ekspozimin e subjekteve. Disa aparate të reja kanë gjithashtu dhe njohje të buzëqeshjes, e cila do të shkrepë automatikisht një foto nëse një subjekt i inkuadruar buzëqesh; ky tipar është fantastik për foto bebesh.

Stabilizimi i imazhit / anti-tronditja: Disa aparate ofrojnë anti-tronditje (apo stabilizim imazhi) si një opsion shkrepjeje apo opsion për t’u mbivendosur. Është shumë i dobishëm në dritë të ulët dhe në kushte të tjera të vështira. Fatkeqësisht, nuk mund ta përdorni këtë tipar së bashku me ndonjë formë skene. Aparate më të avancuara, përfshirë SLR-të,  mund të përdorin stabilizim optik të imazhit (në të cilin një element i lentes lëviz për të kompensuar spostimin) apo lëvizjen e sensorit (kur sensori i aparatit lëviz për të kompensuar tronditjen). Këto dy opsione janë më efektive sesa stabilizimi dixhital i imazhit.

Lajmet e fundit>