Siguri

Hakerët serbë sulmojnë edhe web faqen e Presidentit të Shqipërisë

Mar 4 2010
0 Shpërndarje
Hakerët serbë sulmojnë edhe web faqen e Presidentit të Shqipërisë

Pas sulmit të hakerëve serb ndaj web faqes zyrtare të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu www.president-ksgov.net gjatë ditës së hënë, hakerët nga Kosova u kundërpërgjigjën të martën, duke thyer një web faqe të Presidentit të Serbisë www.boristadic.org, të cilën e kishte shfrytëzuar gjatë kampanjës për zgjedhjet presidenciale në këtë vend.

Por në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë, web faqja zyrtare e Presidentit të Shqipërisë www.president.al ishte viktima e radhës, në këtë betejë virtuale.

Në momentin që hapej kjo faqe, aty më nuk gjendej përmbajtja e zakonshme apo mesazhi mirëseardhës i kreut të shtetit të Shqipërisë Bamir Topi, por mesazhe nacionaliste serbe, ku përsëri shkruhej “Kosova është Serbi”.

Në tekstin që shfaqet lexohet se sulmi vjen në përgjigje të ‘miqve tuaj, djemve tuaj të fortë’ dhe në mbrojtje të web faqes së presidentit serb.

“Si hakmarrje kemi vendosur t’u godasim aty ku ju dhemb më shumë. Kjo është mënyra se si do të bëhet kjo gjë. Kosova është Serbi”, thuhej më tej në vazhdim të mesazhit.
Sulmi vjen dy ditë pasi hakerët kosovarë sulmuan faqen e presidencës serbe, ndërkohë që më parë ishin hakerët serbë ata që sulmuan faqen e presidentit të Kosovës.

Sipas kësaj maratone që ka nisur këtë javë, nesër duket se e ka radhë një ueb faqe Serbe…

Lajmet e fundit>