Lajmet

Hakohet forumi i Ubuntu-s, vidhen 1.82 milionë adresa e-maili

Jul 23 2013
0 Shpërndarje
Hakohet forumi i Ubuntu-s, vidhen 1.82 milionë adresa e-maili

Forumet e Ubuntu-s kanë përjetuar një çarje të madhe të të dhënave, ka thënë gjatë fundjavës që kaloi ndërmarrja që qëndron prapa sistemit operativ me bazë Linux.

Në një lajmërim të postuar në faqen e forumit kryesor, Canonical pranoi që kishte pasur një dëmtim të sigurisë dhe që ndërmarrja ishte duke punuar për të rikthyer operacionet normale. Sipas lajmërimit “çdo emër përdoruesi lokal, fjalëkalim dhe adresë e-maili” nga baza e tyre me të dhëna ishte vjedhur.

Ndërmarrja pranoi që ndonëse fjalëkalimet nuk ishin ruajtur në formën tekstuale, përdoruesit që i kanë fjalëkalimet e njëjta përgjatë shumë platformave do të ishte mirë që t’i ndryshonin ato.

“Ubuntu One, Launchpad dhe shërbimet e tjera të Ubuntu/Canonical nuk janë prekur nga kjo çarje,” deklaroi kjo ndërmarrje. Sipas archive.org, në mesin e qershorit, 1.82 milionë përdorues kanë qenë të abonuar në forume, me më tepër se 1.96 milionë tema.

Sipas disa raporteve lokale, faqja ishte shpartalluar nga hakerët gjatë pasdites së të shtunës. Faqja kryesore ishte ndryshuar për të përfshirë një fotografi “Sputn1k_” që dërgonte tek një llogari me pesë cicërima dhe me një numër jo edhe aq të madh të ndjekësve.

Llogaria nuk ishte duke ndjekur ndokënd tjetër në momentin kur është shkruar kjo. (PCWorld Albanian)

ubuntu

Lajmet e fundit>