Lajmet

Hapet fushata për mbledhjen e fondeve për Prishtina Hackerspace

Jul 24 2014
0 Shpërndarje
Hapet fushata për mbledhjen e fondeve për Prishtina Hackerspace

prhGjatë ditës së mërkurë është bërë hapja zyrtare e fushatës për mbledhjen e fondeve dhe ndihmave për Prishtina Hackerspace, hapësirë kjo e cila është hapur për të qenë vend i rrjetëzimit të njerëzve dhe bashkëpunimit për të sjell në dritë diçka të dobishme për komunitetin. Njëri nga themeluesit e kësaj nisme, Altin Ukshini, bëri këtë hapje, duke treguar që kjo hapësirë ishte hapur për herë të dytë pas një përpjekjeje jo edhe aq të suksesshme me hacklab-in e hapur në vitin 2010 nga shoqata që merret me promovimin e softuerit të lirë dhe të hapur në Kosovë, FLOSSK.

Ukshini tregoi që emrin e qytetit të Prishtinës e kanë vendosur në titullin e kësaj hapësire, sepse ndodhet në Prishtinë, si dhe për ta ndihmuar qytetin në promovim në botën e jashtme, sepse Prishtina Hackerspace synohet të bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të hackerspace-ave. Duke treguar për pamje nga hackerspace-a nga vende të ndryshme të botës, si dhe projektet e tyre, Ukshini tregoi që këta janë vetëm disa shembuj dhe se Prishtina Hackerspace nuk ka nevojë të ketë strukturën apo llojet e njëjta të projekteve që janë në vendet e tjera, sepse llojet e pajisjeve dhe projektet përcaktohen nga vetë komuniteti, që është edhe thelbi i këtyre hapësirave, ku komuniteti tek ne, sikur çdo komunitet tjetër, është unik dhe mund të merret me gjëra unike, në varësi nga nevojat dhe dëshirat e pjesëtarëve të tyre.

Dikush ndonëse mund të ketë lexuar dobitë e përmendura më sipër, si rrjetëzimi e bashkëpunimi, por ende mund të jetë duke dyshuar në nevojën e vetë ekzistimit të një hapësire në radhë të parë. Për ta Ukshini ka përgjigje, ku ai tregoi disa nga përfitimet e mundshme që mund të vijnë nga kjo hapësirë si: mbushja e boshllëkut të punësimit, si dhe mundësia më e lehtë e punësimit për shkak të shkathtësive të demonstruara me pjesëmarrjen në zhvillimin e projekteve të ndryshme, të cilat mund të jenë aftësi të kërkuara nga punëdhënës; e po ashtu, edhe mund të kemi përmirësim të gjendjes ekonomike, ku Ukshini përmendi si shembull një projekt të mundshëm: grumbullimin e kompjuterëve të vjetër e të papërdorur nga komuniteti, riparimi e rregullimi i tyre dhe dhurimi i tyre për familjet e varfra, të cilat nuk janë në gjendje të mirë ekonomike.

Disa nga vlerat të cilat u përmendën se do të jenë pjesë e komunitetit që merr pjesë janë: ndarja e resurseve, ku çdo kush mund të shfrytëzojë pajisjet që ndodhen të pranishme në këtë hapësirë; bashkëpunimi; diversiteti; e komuniteti. Grup moshat që mund të jenë pjesë e komunitetit që merret me zhvillimin e projekteve, apo edhe vetëm pjesëmarrja për të mësuar gjëra të reja (sepse nuk është e domosdoshme të jeni pjesë e një projekti, pasi mund të jeni thjesht edhe vetëm palë e tretë që përfiton nga përvojat e personave pjesëmarrës në projekte) janë tinejxherët e moshës mbi gjashtëmbëdhjetë vjeçare, studentët e të moshuarit.

Synimi i kësaj fushate është grumbullimi i fondeve në vlerë prej 57 mijë eurove, të cilat do të përdoren për të mbuluar shpenzimet për mirëmbajtjen dhe furnizimin e hapësirës me pajisjet e nevojshme, si dhe të organizimit të ngjarjeve të ndryshme. Tashmë, për të ndihmuar në lidhje me arritjen e kësaj shume, sepse siç tregoi Ukshini, është gjë mjaft e vështirë arritja e grumbullimit të një sasie të tillë e të hollave sidomos në Kosovë që mungon vetëndërgjegjësimi për përfitimet e mundshme nga kjo hapësirë, si dhe

për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, do të hapet një fushatë në Kickstarter në SHBA, ku do të kërkohen fonde për ta arritur shumën e mëtuar. Nëse ju keni dëshirë që ta ndihmoni këtë hapësirë, qoftë me fonde financiare, qoftë me ndonjë pajisje apo ndonjë gjë tjetër me të cilën mendoni që mund ta ndihmoni këtë hapësirë, atëherë ju mund ta bëni këtë dhe kontributi juaj do të përmendet në uebfaqen zyrtare të Prishtina Hackerspace.

Ekziston mundësia edhe e të qenit anëtar i Prishtina Hackerspace, që dallon nga një pjesëmarrës i thjeshtë, me mundësinë e posedimit të një çelësi për hyrje në këtë hapësirë, si dhe me të drejtën e votës në vendimet që merren për ndryshimet e mundshme në këtë hapësirë, ku pagesa është prej 10 eurove, e cila do të cilësohet edhe si një mbështetje morale për këtë hapësirë. Por, ju edhe pa qenë fare anëtarë, pra pa paguar asgjë, mund të shkoni rregullisht në këtë hapësirë, të mësoni gjëra të reja, të shfrytëzoni pajisje, e të organizoni ngjarje të ndryshme.

Ukshini e përfundoi prezantimin duke thënë që pa njerëz dhe projekte interesante, edhe kjo hapësirë nuk do jetë interesante, prandaj nuk është e thënë të jeni programues apo ndonjë inxhinier i diplomuar, por mjafton që të keni një vizion dhe dëshirë se çka synoni të arrini që të zhvilloni projektet e juaja, qoftë në art, TIK, në kulturë, në kimi, fizik apo në ndonjë fushë tjetër. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>