Lajmet

Hapet Panairi i dymbëdhjetë me radhë i Librit

Jun 7 2010
0 Shpërndarje
Hapet Panairi i dymbëdhjetë me radhë i Librit

Për të dymbëdhjetën herë me radhë në Prishtinë, nën hapjen zyrtare nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi dhe nga Ministri i Kulturës z. Lutfi Haziri, nga data 7 e deri më 13 qershor, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve do të mbahet Panairi i Librit.

Organizatorët thonë se në këtë eveniment pritet të marrin pjesë rreth njëqind shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset e tjera.

Gjatë shtatë ditëve, sa edhe do të zgjasë panairi, thuhet se do të jenë të pranishëm shumë shkrimtarë, ku do të ketë edhe aktivitete përcjellëse, si debate, përurime librash etj.

Abdulla Zeneli, drejtori i Shtëpisë Botuese “Buzuku”, thotë se interesimi i lexuesve obligon pjesëmarrjen në këtë panair.

Sipas tij, në këtë eveniment, Shtëpia Botuse “Buzuku”, do të prezantohet me një numër të konsiderueshëm të titujve të rinj.

“Janë 40 deri 50 tituj në dy vitet e fundit që do të prezantohen. Do të ketë edhe një retrospektivë të botimeve të mëhershme. Por, është paralajmëruar dhe një maket botimesh, siç janë tri librat e novelistit Le Klezio, dy librat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pastaj edhe libra të tjerë nga fusha e përkthimeve origjinale etj”, shprehet Zeneli.

PCWorld Albanian është e pranishme në këtë panairi dhe në stendën tonë ju do të mund të gjeni, revistat tona me një çmim shumë të volitshëm (vetëm 1 euro për secilin numër që dëshironi apo edhe oferta speciale për abonim – duhet të keni parasysh se këto oferta vlejnë vetëm gjatë kohës sa mbahet panairi) si dhe revistën tuaj të shumëkërkuar FacebookMania, që është botim special i PCWorld Albanian.

Lajmet e fundit>