Biznes

Hapet Panairi i Teknologjisë Informative ITTF

Mar 24 2009
0 Shpërndarje
Hapet Panairi i Teknologjisë Informative ITTF

Ky panair tashmë ka përvojë në këtë lëmi, pasi është panairi i gjashtë me radhë i kësaj natyre që organizohet në Prishtinë. Ngjarja do të mbahet prej 24 deri 26 Mars. Panairi i Teknologjisë Informative çdo vit grumbullon kompanitë më të mëdha vendore nga mbarë Kosova. Kjo ngjarje është një rast i mirë për kompanitë vendore që ato t’i ekspozojnë produktet e tyre dhe të tregojnë përparimin që ato bëjnë çdo vit në teknologjinë informative.
Panairi i gjashtë i Teknologjisë Informative këtë vit mbahet nën patronatin e Ministrisë së Turizmit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe ministrit të saj Fatmir Limaj.

 

Eventi tërhoqi interesim të madh nga mediat, ndërsa të pranishëm në hapjen e panairit ishin edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës si kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala etj..
Fjalën hyrëse në këtë ngjarje e pati Bekim Xhafa, drejtor i CEO dhe organizator i panairit. Ai në fjalimin e tij hyrës i falënderoi ekspozuesit për kontributin e dhënë dhe sjelljen e produkteve të teknologjisë në panairin ITTF. “ITTF është shndërruar në një pikëtakim i cili po grumbullon edhe biznese nga rajoni” – deklaroi më tej Xhafa. Në hapjen e panairit fjalën e morri edhe ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i cili premtoi përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për eventin edhe në të ardhmen. “Panairi ITTF nuk do të jetë një ngjarje vetëm për Kosovën, por me përkrahjen dhe mbështetjen e Qeverisë, ky panair do të bëhet  tradicional dhe do të zgjojë edhe interesimin e rajonit dhe opinionit ndërkombëtar” – tha ministri Limaj. Ndërkohë Panairin e gjashtë të Teknologjisë Informative e shpalli të hapur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili në fjalën e tij tha se ngjarja ka një rëndësi të veçantë për Qeverinë. “Se çfarë rëndësie ka teknologjia informative për Qeverinë e Kosovës tregon edhe pjesëmarrja e fuqishme e Qeverisë në panair” – deklaroi kryeministri Thaçi.

Panairi ka grumbulluar gjithsejt 20 kompani, prej të cilave 19 janë nga vendi ndërsa 1 është kompani e huaj. Ky event ka zgjuar interesim të madh, ngase përfshin një program të gjerë si, kompjuter personal,  softuerë, Telemedicinë, Telekomunikime, sisteme sigurie, zëra dhe media, fotografi dixhitale dhe teknologji të printimit.

Ndërkohë pjesëmarrëse në panair është edhe PC World Albanian që është edhe sponsor medial i panairit. Në stendën e PC World Albanian ju mund t’i gjeni të gjitha numrat e revistave me një çmim shumë të volitshëm prej vetëm 0.99 euro. Për më tepër në këtë stendë ju mund ta plotesoni një anketë, përmes së cilës ju mund të bëheni fitues i një telefoni celular Samsung të cilin e dhuron PC World në bashkëpunim me kompaninë Roaming Kosova.

Panairi do të vazhdojë të jetë i hapur për të interesuarit edhe në ditën e nesërme dhe të pasnesërme, kur edhe do të bëhet mbyllja.

 

 

 

Lajmet e fundit>